Botë

Rusia i kundërvihet Gjykatës Evropiane sherri i Navalnyt

Descriptive Text

“Kjo kërkesë është e pabazë dhe e paligjshme, për shkak se nuk e përmban ndonjë referencë në ndonjë fakt apo normë ligjore, që do t’ia lejonte gjykatës marrjen e këtij vendimi”, ka thënë ministri rus i Drejtësisë, Konstantin Chuychenko

Ministri rus i Drejtësisë e ka hedhur poshtë si të “paligjshëm” vendimin e së mërkurës të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, me të cilin Rusisë iu kërkua lirimi i menjëhershëm i kritikut të burgosur të Kremlinit, Alexei Navalny.

Këtë vendim zyrtari rus e cilësoi madje si ndërhyrje në sistemin rus të drejtësisë.

Gjykata me seli në Strasburg ka vendosur të martën që “t’i sugjerojë qeverisë ruse” se duhet ta lirojë në mënyrë të menjëhershme Navalnyn, arrestimi dhe burgimi i të cilit ka nxitur protesta anti-Kremlin kudo në Rusi.

Gjykata Ndërkombëtare e Këshillit të Evropës, që përbën forumin kryesor të të drejtave të njeriut në Evropë, ka bërë të ditur se kërkesa për lirimin e Navalnyt motivohet nga rreziku i mundshëm për jetën e tij. Në një njoftim për media, ky trup gjyqësor ka konfirmuar se informatat e ofruara nga Rusia – si një anëtare e Këshillit të Evropës – për kushtet e mbajtjes së Navalnyt janë kontestuar nga politikani opozitar.

“Kjo kërkesë është e pabazë dhe e paligjshme, për shkak se nuk e përmban ndonjë referencë në ndonjë fakt apo normë ligjore, që do t’ia lejonte gjykatës marrjen e këtij vendimi”, ka thënë ministri rus i Drejtësisë, Konstantin Chuychenko.

Ai është cituar të ketë thënë për agjencitë ruse të lajmeve se vendimi përbën shkallë të pashembullt të ndërhyrjes në funksionimin e sistemit gjyqësor rus dhe se kërkesa është e pamundur të jetësohet, pasi që nuk bazohet në ligjet ruse.

Rusia ka miratuar vitin e shkuar ligjin që i jep legjislacionit kombëtar përparësi kundruall atyre ndërkombëtare në rastet e traktateve dhe rregullave që bien ndesh me kushtetutën ruse.

44-vjeçari Navalni është arrestuar gjatë muajit të shkuar menjëherë pas kthimit të tij në vend nga Gjermania dhe është dënuar më 2 shkurt me dy vjet e gjysmë burgim për shkeljen e masës së lirimit me kusht. Opozitari këtë dënim e ka cilësuar si masë të motivuar politikisht.

Ai ishte trajtuar në Gjermani për helmimin me një agjent nervor, në rastin që shumë shtete perëndimore e konsiderojnë si përgjegjësi të Rusisë dhe e akuzojnë drejtpërsëdrejti presidentin Vladimir Putin.

Kremlini ka hedhur poshtë akuzat e Navalnyt dhe ka konstestuar madje helmimin e tij.

Disa shtete evropiane kanë bërë tanimë thirrje për lirimin e tij nga burgu dhe kanë paralajmëruar edhe sanksione ndaj Rusisë sherri i rastit. \ AP