Botë

Biden: Çdo amerikan do të vaksinohet deri në korrik

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha se të gjithë amerikanët do të kenë qasje në vaksinat kundër koronavirusit deri në fund të korrikut.

Biden parashikoi më herët se vaksinat mund të jenë në dispozicion për të gjithë deri në pranverë, por Shtëpia e Bardhë e shtyu datën për shkak të vështirësive në disponueshmërinë e vaksinave dhe në mundësitë për t'i dhënë ato.

“Deri në fund të korrikut do të kemi 600 milionë doza, të mjaftueshme për të vaksinuar çdo amerikan”, tha Biden në takimin e parë me votues, prejse ka marrë detyrën në muajin janar.

Ai tha se do që shkollat të rihapen më shpejt dhe se mbështet vaksinimin e mësimdhënësve me prioritet.

Biden tha se SHBA-ja ka ende rrugë të gjatë përpara për të arritur imunitetin e tufës dhe për të lejuar rikthimin e jetës në normalitet.

Numri i rasteve të reja me koronavirus në SHBA është në rënie, por vazhdon të mbetet në dhjetëra mijëra në ditë.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, numri i viktimave të martën ka qenë pak më pak se 1,000.

Koronavirusi ka vrarë mbi 487,000 njerëz në të gjithë SHBA-në.

Shumë pyetje, me të cilat u përball Biden nga audienca në shtetin e Wisconsin, kishin të bënin me pandeminë dhe ekonominë, ndërsa në politikën e jashtme ai u pyet për Kinën dhe trajtimin që u bën ky vend pakicave në rajonin Xinjiang.

“Do të ketë pasoja për Kinën dhe ai e di këtë”, tha Biden, duke iu referuar presidentit të Kinës, Xi Jinping.

Xi është përballur me kritika globale për mbajtjen e ujgurëve - kryesisht myslimanë - dhe të grupeve të tjera të pakicave në kampe internimi.

Pekini këmbëngul se objektet janë “qendra të arsimit profesional”, që synojnë t’i ndihmojnë njerëzit të largohen nga terrorizmi dhe të riintegrohen në shoqëri.

“Kina po përpiqet shumë për t'u bërë udhëheqëse botërore... Për aq kohë sa ajo është e angazhuar në një veprimtari që është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut, do të jetë e vështirë për ta arritur këtë”, tha Biden në ngjarjen që organizoi rrjeti televiziv CNN.

Në një telefonatë dyorëshe me Xinë, më 11 shkurt, Biden vuri në dukje prioritetin e tij për të ruajtur një rajon të lirë dhe të hapur të Indo-Paqësorit, si dhe shprehu shqetësimin në lidhje me praktikat “shtrënguese dhe të padrejta” tregtare të Pekinit dhe me çështjet e të drejtave të njeriut.

Media shtetërore kineze tha se Xi kërkoi kujdes nga SHBA-ja, rreth ndërhyrjes në çështjet e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kinës, përfshirë Hong Kongun dhe Xinjiangun.

Anëtarët e audiencës në Wisconsin ishin të përzier: demokratë, republikanë dhe të pavarur.

Biden gjithashtu shfrytëzoi ngjarjen për të reklamuar një paketë ndihme prej 1.9 trilion dollarësh, për trajtimin e pasojave të pandemisë.

Presidenti është duke kërkuar nga ligjvënësit republikanë në Kongres, që e kundërshtojnë paketën, ta pranojnë atë si mënyrën më të mirë për të kthyer fuqinë e ekonomisë amerikane.

Biden tha se paketa masive e ndihmës tashmë ka mbështetje të gjerë publike dhe shtoi se “tani është koha për ta shpenzuar”.

Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA pritet ta votojë atë javën e ardhshme./REL