Botë

Një i vdekur e dhjetëra të plagosur në një sulm me bombë në kryeqytetin e Somalisë

Një person ka vdekur dhe dhjetë të tjerë janë plagosur si pasojë e shpërthimit të një bombe në një veturë sot në mëngjes afër pallatit presidencial në Mogadishu të Somalisë.

Lajmin e kanë bërë të ditur zyrtarë policorë të kryeqytetit Mogadishu sipas të cilëve në mëngjes është parë një veturë e mbushur me eksplozivë dhe policia kishte arritur që të gjuante me armë zjarri në drejtim të veturës e cila po lëvizte me shpejtësi të madhe drejt Pallatit Presidencial.

Nga ky veprim ka mbetur i vdekur personi që ishte në veturën me eksploziv, shkruan CNN.

“Faleminderit Zotit që vigjilenca e forcave të sigurisë ka bërë që të shpëtohen shumë njerëz që do të mund të pësonin nga sulmi i planifikuar terrorist”, thuhet në deklaratën e Policisë.

Deri më tani askush nuk ka marrë përgjegjësi për këtë sulm që vjen në kohën e krizës politike në Somali pasi mandati i presidentit të shtetit Mohamed Abdullahi Farmajo ka skaduar më 8 shkurt të këtij viti ndërkohë që ende nuk janë caktuar zgjedhjet e reja.

Sulmi i sotëm ishte i dyti me radhë në kryeqytetin e Somalisë brenda pak javësh.