Botë

Në luftën për shfajësimin e Trumpit, mbrojtja e quan gjykimin “hakmarrje politike”

“Neni i impiçmentit, i nxjerrë para Senatit, është i padrejtë dhe një akt flagrant jokushtetues i hakmarrjes politike”, ka thënë avokati i Trumpit, Michael va nder Veen, në argumentin hapës, duke shtuar se e gjitha përkon me “gjahun e vazhdueshëm të shtrigave” nga demokratët

Washington, 12 shkurt (AP) – Avokatët e Donald Trumpit kanë nisur të premten shpalosjen e argumenteve pse ish-presidenti amerikan duhet të shfajësohet nga akuza për nxitjen e dhunës vdekjeprurëse të muajit të shkuar në Capitol, duke pretenduar se procesi i impiçmentit është një akt i “hakmarrjes politike” të demokratëve.

Mbrojtja do të paraqesë për disa ditë dëshmitë që synojnë ta fuqizojnë rastin se Trumpi nuk ishte përgjegjës për nxitjen e ngjarjeve të 6 janarit, të cilat detyruan ligjvënësit që të kërkojnë strehim në vende të sigurta dhe rezultuan me vdekjen e pesë personave, përfshirë një zyrtar policie.

Avokatët e Trumpit kanë thënë se retorika e tij mbrohej me dispozitën për lirinë e shprehjes të Kushtetutës amerikane dhe se prokurorët nuk kanë arritur që t’i lidhin veprimet e protestuesve me Trumpin.

“Neni i impiçmentit, i nxjerrë para Senatit, është i padrejtë dhe një akt flagrant jokushtetues i hakmarrjes politike”, ka thënë avokati i Trumpit, Michael va nder Veen, në argumentin hapës, duke shtuar se e gjitha përkon me “gjahun e vazhdueshëm të shtrigave” nga demokratët.

Prokurorët demokratë kanë përmbyllur rastin e tyre të enjten, duke argumentuar se Trumpi ka qenë në dijeni të asaj çfarë do të ndodhte kur i trimëroi mbështetësit e tij më 6 janar që të marshonin drejt Capitolit dhe të “luftonin si në ferr” derisa Kongresi ishte mbledhur për ta certifikuar fitoren e demokratit Joe Biden, në zgjedhjet e 3 nëntorit. Ata kanë kërkuar që për këtë gjë ish-presidenti republikan të mbahet përgjegjës.

Trumpi kishte pretenduar pa fakte se fitorja e Bidenit në nëntor ishte rezultat i mashtrimeve të gjithmbarshme me vota.

Van der Veeni ka thënë se vlerësimet e Trumpit para mbështetësve kishin të bënin me faktin se procesi demokratik duhej zhvilluar në përputhje “me letrat e ligjit”.

“Këto nuk janë fjalët e dikujt që nxit kryengritje të dhunshme”, ka thënë ai.

Image

Dhoma demokrate e Përfaqësuesve e kishte fajësuar Trumpin më 13 janar për nxitje të kryengritjes, por demokratët nuk pritet se do ta sigurojnë dënimin e tij në Senatin e ndarë barabar sipas linjave partiake apo t’ia bllokojnë Trumpit mundësinë për të garuar sërish për postin e presidentit.

Për dënimin e tij kërkohet vota e shumicës prej dy të tretash në Senatin me 100 anëtarë. Kjo nënkupton se të paktën 17 republikanë do të duhej të shkëputeshin nga radhët e Trumpit në partinë që edhe më tutje i mbetet besnike ish-presidentit.

“Mezi pres që të shoh se çfarë do të bëjnë miqtë e mi republikanë”, ka thënë të premten presidenti amerikan, Joe Biden, duke folur lidhur me procesin para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Në rast se Trumpi shfajësohet, Senati mund të vendosë që ta censurojë apo edhe të votojë për t’ia ndaluar atij mbajtjen e një posti federal në të ardhmen. I pyetur lidhur me këtë mundësi gjatë së enjtes lideri i shumicës në Senat, Chuck Schumer, ka thënë se për një vendim të tillë duhet pritur deri në përfundim të gjykimit.

Vazhdimi i gjykimit është mundësuar pasi që Senati votoi të martën, kryesisht sipas qëndrimeve partiake, se procesi i impiçmentit është kushtetues me gjithë faktin se mandati presidencial i Trumpit ka përfunduar më 20 janar. Gjashtë senatorë republikanë kishin anuar me këtë rast kah demokratët.

Në argumentimin e tyre prokurorët demokratë kanë ofruar shembuj të shumtë të veprimeve të Trumpit para sulmit që e ilustrojnë atë që ai kishte synuar kur u kishte thënë mbështetësve që të niseshin drejt ndërtesës së Kongresit në Washington.

Asnjëra palë deri më tani nuk ka adresuar kërkesë për paraqitjen e dëshmitarëve, duke hapur kësisoj rrugën për shpalosjen e argumenteve përfundimtare dhe për votimin rreth vendimit deri të shtunën.

Trumpi është i pari president amerikan që i nënshtrohet dy herë procesit të impiçmentit dhe i vetmi që është ballafaquar me këtë gjykim pas largimit nga detyra. Procesi i tij i parë i impiçmentit, i cili ka buruar nga përpjekjet e tija për t’i ushtruar presion Ukrainës për hetimin e Bidenit, ka përfunduar me shfajësim një vit më parë në Senatin asokohe të kontrolluar nga republikanët.