Botë

Senati voton për rregullat e procesit të “impeachmentit” ndaj Trumpit

Senati ka votuar rregullat e procesit të “impeachmentit” ndaj ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, raporton CNN.

“Është pajtuar nga menaxherët e Dhomës së Përfaqësuesve, këshilltari i ish-presidentit dhe nga liderët republikanë, është bipartizane”, ka thënë lideri i shumicës në Senat, Chuck Schumer, ndërsa ka prezantuar rezolutën organizative.

Rezoluta organizative cakton orarin për seancën ndaj Trumpit, i cili akuzohet për nxitje të dhunës në Kongres më 7 janar, ku vdiqën pesë persona. Protestuesit pro-Trump ishin futur në Kongres në tentim për të ndaluar certifikimin e fitores së Joe Bidenit.

Pas katër orëve debat sot mbi çështjet kushtetuese, do të ketë një votim për shumicën e thjeshtë për të konfirmuar kushtetutshmërinë e procedurave. Pas kësaj, secila palë ka 16 orë për prezantim.

Më pas janë katër orë për pyetjet e senatorëve. Nëse ka nnë kërkesë për dëshmitarëë nga menaxherët e impeachmentit nga Dhoma e Përfaqësuesve, do të ketë dy orë debat pas periudhës së pyetjeve, pasuar nga një votim nëse duhet të ftohet dëshmitari.

Më pas do të ketë katër orë për argumente përmbyllëse, të ndara në mënyrë të barabartë. Pastaj do të ketë votim për dënim apo pafajësi të Trumpit.

Jamie Raskin nga Dhoma e Përfaqësuesve, që ka iniciuar impeachmentin ndaj Trumpit, ka thënë se rasti i ekipit të tij kundër Trumpit është bazuar në fakte të forta.

Demokratët kanë shfaqur më pas xhirime të trazirave në Capitol, ku humbën jetën pesë persona. Trump akuzohet për nxitje të dhunës në Capitol më 7 janar.