Botë

Gjykata në Poloni urdhëron dy historianë të Holokaustit të kërkojnë falje

Një gjykatë në Poloni ka urdhëruar dy historianë të Holokaustit t’i kërkojnë falje mbesës së kryetarit të ndjerë të një fshati, pasi e kishin akuzuar atë se ka bashkëpunuar me nazistë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ndonëse i shpalli ata fajtor për shpifje, gjykata në Varshavë nuk i urdhëroi historianët të paguajnë dëmshpërblim.

Qendra Ndërkombëtare për Përkujtim të Holokaustit, Yad Vashev, e ka quajtur rastin “sulm serioz ndaj hulumtimit të lirë dhe të hapur“.

Profesorët Jan Grabowski dhe Barbara Engelking mund të apelojnë ndaj vendimit.

Rasti ishte dërguar në gjykatë nga 80-vjeçarja Filomena Leszczynska.

Rreth gjashtë milionë hebrenjve kanë vdekur në Holokaust, gjysma prej tyre hebrenj polakë. Rreth 90 për qind të komunitetit hebraik në Poloni që ishte para Luftës së Dytë Botërore, u vra.

Libri “Nata pa Fund” ka cituar deklarimet e një të mbijetuari të Holokaustit, që kishte akuzuar kryetarin e një fshati, Edward Malinowskin, se kishte tradhtuar duke u treguar ushtarëve gjermanë vendndodhjen e rreth 22 hebrenjve. Grupi ishte ekzekutuar menjëherë.

Leszczynska ka thënë se autorët e librit nuk e kanë përmendur se seanca gjyqësore pas luftës kishte shpallur xhaxhain e saj të pafajshëm ndaj akuzave për bashkëpunim me nazistë.