Botë

Trumpi thirret të dëshmojë nën betim në procesin e impiçmentit

Kërkesa e drejtuesve kryesorë të impiçmentit në Dhomën e Përfaqësuesve ka shpërfaqur qartë synimin e tyre për të ndjekur qasje agresive kundër ish-presidentit, ani pse ai është larguar nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar

Washington, 4 shkurt (AP) – Dhoma e Përfaqësuesve i ka kërkuar të enjten Donald Trumpit që të dëshmojë nën betim për procesin e impiçmentit ndaj tij në Senat, duke pretenduar se ish-presidenti duhet të shpjegojë pse ai dhe avokatët e tij kanë kontestuar argumentet kryesore faktike që janë në epiqendër të rastit.

Kërkesa e drejtuesve kryesorë të impiçmentit në Dhomën e Përfaqësuesve ka shpërfaqur qartë synimin e tyre për të ndjekur qasje agresive kundër ish-presidentit, ani pse ai është larguar nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar.

Një këshilltar i Trumpit nuk ka pranuar që të komentojë lidhur me letrën e adresuar të drejtuesve.

Procesi i impiçmentit në Senat do të fillojë më 9 shkurt lidhur me akuzën e vetme të ngritur kundër Trumpit për nxitjen e kryengritjes që rezultoi me dhunën vdekjeprurëse në ngjarjet e 6 janarit.

Në letrën e adresuar, republikani Jamie Raskin, njëri prej menaxhuesve të impiçmentit, ka kërkuar që Trumpi të ofrojë dëshmi “qoftë para apo gjatë procesit të impiçmentit në Senat” dhe nëpërmjet ekzaminimit, lidhur me veprën e tij të 6 janarit, dhe atë para të hënës dhe jo më vonë sesa të enjten e ardhshme, më 11 shkurt.

Raskin ka thënë se Trumpi ka kontestuar faktet kritike të rastit, “pavarësisht dëshmive të qarta dhe gjithëpërfshirëse për shkeljen kushtetuese”.

“Meqë i keni kontestuar këto pretendime faktike, ju shkruaj për t’ju bërë thirrje që të ofroni dëshmi nën betim, qoftë para apo gjatë procesit të impiçmentit në Senat, për sa i përket veprimit të 6 janarit të 2021-s”, ka shkruar Raskin.

Republikani ka shkruar gjithashtu se nëse Trumpi refuzon të dëshmojë, atëherë menaxhuesit do ta shfrytëzojnë refuzimin kundër tij në proces – një argument ky i ngjashëm i shtruar nga Dhoma e Përfaqësuesve edhe në procesin e impiçmentit vitin e shkuar, kur shumë zyrtarë të Trumpit i kishin anashkaluar thirrjet për paraqitjen e dëshmive.

“Ç’është e vërteta, ndonëse një president në detyrë mund të ngrejë dyshime lidhur me shpërqendrimin nga obligimi zyrtar, ky shqetësim tani është qartazi i pazbatueshëm”, ka shkruar Raskin.