Botë

Trashëgimia e Trumpit vë në sprovë politikat e jashtme të Bidenit

Dy kriza kritike kanë vënë në sprovë politikat e jashtme të administratës së presidentit Joe Biden, në kohën kur trazirat në Capitol kanë luhatur pozitën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si pishtar i demokracisë.

Bideni synon t’i shpalosë pikat kryesore të politikave të jashtme të administratës së tij, gjatë një fjalimi të enjten para diplomatëve amerikanë të Departamentit të Shtetit.

Protestat në Rusi dhe grusht-shteti në Birmani kanë ndodhur në kohën kur besueshmëria në Shtetet e Bashkuara ka rënë në pikën më të ulët ndonjëherë, shkaku i përkrahësve të ish-presidentit Donald Trump, që ia mësynë Capitolit më 6 janar.

Bideni synon që t’i përmbushë premtimet e fushatës për ta rikthyer Amerikën në pozitën e lideres botërore, pas katër vjetësh të mjegullta nën Donald Trumpin që u largua nga aleatët demokratikë për t’i përqafuar politikat e liderëve autoritarë.

Analistët kanë vlerësuar se ekziston skepticizëm i thellë për qëndrueshmërinë e angazhimeve amerikane karshi institucioneve multilaterale dhe aleancave botërore.

Sipas tyre, shumë shtete janë distancuar nga Amerika për shkak të administratës së Trumpit.

Që në ditët e para si president, Bideni ka mëtuar të tregojë se Amerika është rikthyer nëpërmjet lidhjeve telefonike me liderët e huaj.

Për t’i adresuar dy sprovat e para, presidenti amerikan ka kërcënuar Birmaninë me sanksione të reja shkaku i grusht-shtetit, kurse trazirat në Rusi po shërbejnë si një test tjetër i vështirë për premtimin e tij për kthimin e Amerikës në rolin e lideres botërore.

Mirëpo, ngjarjet e 6 janarit në Washington e kanë dobësuar “kartën” e Bidenit për të promovuar demokracinë jashtë Amerikës. Këtë plan, analistët vlerësojnë se mund ta realizojë duke e fuqizuar demokracinë përbrenda vetë shtetit që udhëheq.