Botë

Ish-lideri i rebelëve në Ugandë, Ongwen, shpallet fajtor për krime lufte

Descriptive Text

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka shpallur fajtor për krime lufte, ish-liderin e rebelëve në Ugandë, Dominic Ongwen.

Ongwen, një komandues i frikshëm nga radhët e LRA-së, është anëtari i parë i LRA-së që paraqitet para gjykatës.

Ai është dënuar për 61 nga 70 pikat e aktakuzës për krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës.

Akuzat lidhen me sulmet në katër kampe për personat e zhvendosur nga brenda vendit në Ugandë në vitin 2004.

Ongwen pritet ta marrë dënimin në një datë të mëvonshme, por mund të përballet me një dënim të përjetshëm.

Rasti ka paraqitur dilema në gjykatë, pasi ai është paraqitur edhe si viktimë edhe si i akuzuar.

Ai ka thënë se ishte kidnapuar nga LRA-ja dhe u detyrua të kthehej në një fëmijë ushtar, para se të ngrihej dhe të bëhej zëvendës i komanduesit të LRA-së, Joseph Kony.

Gjykatësi Bertram Schmitt, duke lexuar aktgjykimin, ka thënë: “Dhoma nuk ka gjetur asnjë dëshmi për të përkrahur pretendimet e mbrojtjes se Dominic Ongwen ka vuajtur nga sëmundje mentale dhe çrregullime, gjatë periudhës sa ishte në krye të trupave rebele apo se ka bërë krimet pasi është detyruar.

Ai është dënuar në pikat e aktakuzës për krime lufte, krime kundër njerëzimit, tortura, skllavërim seksual dhe plaçkitje.

Gjykata Ndërkombëtare Penale kishte lëshuar urdhër për arrestimin e tij në vitin 2005 dhe forcat amerikane e ato afrikane po e kërkonin që nga viti 2011.

Në vitin 2014 ai u dorëzua në Republikën e Afrikës Qendrore dhe gjykimi i tij prej tri vjet e gjysmë në Hagë përfundoi në mars.