Botë

Kinë, shkatërrohet grupi që prodhonte dhe shiste vaksina të reme kundër koronavirusit

Policia kineze ka arrestuar më shumë se 80 persona të dyshuar të një grupi kriminal, i cili ka prodhuar dhe shitur vaksina të rreme kundër koronavirusit.

Zyrtarët policorë në Pekin kanë nisur operacionet pasi ka pasur dyshime se janë duke u prodhuar vaksina të rreme me përbërje të thjeshtë kripore, shkruan AP.

Vaksinat janë shitur në Kinë dhe në shtetet tjera, ndonëse ende nuk janë bërë të ditur emrat e vendeve tjera.

Sipas medias shtetërore, ky grup ka qenë aktiv prej shtatorit të vitit të kaluar.

“Kina tashmë ka raportuar për këtë situatë te vendet tjera relevante. Në të njëjtën kohë, Kina do të forcojë bashkëpunimin me shtetet relevante për të parandaluar përhapjen e këtyre veprimeve joligjore dhe kriminale”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin.

Kina ka një histori të gjatë të skandaleve me vaksina, duke nisur nga problemet me prodhim e deri te praktikat biznesore.

Për këtë arsye Kina ka reformuar rregulloret për siguri të vaksinave dhe ka rritur gjobat për ata që kryejnë shkelje.