Botë

Republikanët përballë dilemës së identitetit

Descriptive Text

Pas mbështetjes së hapur të dhunës ndaj demokratëve, republikanët tani janë duke peshuar nëse ta disiplinojnë Greenen, një mbështetëse kjo e zëshme e ish-presidentit, Donald Trump, si dhe ligjvënësen e establishmentit partiak, Liz Cheney, numrin tre të republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, e cila kishte votuar muajin e kaluar për impiçmentin e Trumpit

Washington, 3 shkurt (AP) – Republikanët në Kongres janë vënë të mërkurën përballë presionit të shtuar për të ndërmarrë veprime kundër Marjorie Taylor Greenes, ligjvënëses që i mbështeti thirrjet për dhunë kundër demokratëve dhe që i përkrahu teoritë e konspiracionit para se ta merrte detyrën muajin e shkuar.

Dhoma demokrate e Përfaqësuesve do të votojë të enjten rreth rezolutës për shkarkimin e republikës Greene nga detyra e saj në Komitet, ka bërë të ditur lideri i shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Steny Hoyer.

Republikanët tani janë duke peshuar nëse ta disiplinojnë Greenen, një mbështetëse kjo e zëshme e ish-presidentit, Donald Trump, dhe ligjvënësen e establishmentit partiak, Liz Cheney, numrin tre të republikanëve në Dhomë që kishte votuar muajin e kaluar për impiçmentin e Trumpit.

211 ligjvënës republikanë të Dhomës është paraparë që të mbajnë një takim privat të enjten, për t’i diskutuar kundërthëniet. Ndërkaq, demokratët kanë bërë të ditur se lideri republikan i Dhomës, Kevon McCarthy, ka ende kohë që të ndërmarrë masa ndaj Greenes para votimit të paraparë të së enjtes.

Nëse republikanët vendosin që t’ia marrin Cheneyit rolin e udhëheqëses apo ta shkarkojnë Greenen nga komitetet ku është angazhuar, atëherë do të dërgojnë një mesazh të fuqishëm rreth të ardhmes së partisë dhe, potencialisht, asaj të Trumpit përbrenda saj.

Greene është përballur me kritika të pashembullta për mbështetjen ndezëse të teorive konspirative dhe për thirrjet online për dhunë kundër demokratëve gjatë viteve të fundit, përpara se të zgjidhej.

Të martën e ardhshme, Senati amerikan është paraparë që ta nisë procesin e impiçmentit ndaj Trumpit për akuzën e ngritur nga Dhoma e Përfaqësuesve për nxitjen e kryengritjes, kur mbështetësit e tij i thirri që t’i vërsulen ndërtesës së Capitolit. Në dhunën e 6 janarit kanë mbetur të vdekur pesë persona, ndërsa anëtarët e Kongresit janë shtrënguar që të kërkojnë strehim në një lokacion të sigurt përbrenda ndërtesës.

Cheneyi ishte zyrtare e rangut të lartë republikan në Dhomë që kishte votuar për impiçmentin e Trumpit, pas sulmit në Capitol.

Mirëpo, Greene është figura më e kritikuar, madje edhe nga vetë radhët e partisë. Lideri republikan i Senatit, Mitch McConnell, duke aluduar në të, kishte paralajmëruar javën e shkuar kundër “gënjeshtrave të krisura dhe teorive të konspiracionit”, për të cilat tha se “janë një kancer për Partinë Republikane dhe për vendin”.

Javën e kaluar, agjencia CNN kishte raportuar se ajo i kishte aprovuar gjithashtu thirrjet për dhunë kundër ligjvënësve demokratikë, përfshirë edhe kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

“Nëse këto deklarata janë të saktë – dhe nëse në fakt i reflektojnë qëndrimet e saja – atëherë janë më se shqetësuese”, ka thënë senatori republikan, Lindsey Graham, një aleat besnik i Trumpit.

Në shumë raste, megjithatë, është konfirmuar qëndrimi i saj theksueshëm nxitës kundër demokratëve.

“Unë jam armiku numër një i grupit demokrat”, kishte shkruar Greene të martën në Twitter.

Greene është figurë e re në politikë dhe ka marrë detyrën gjatë muajit të shkuar, teksa Cheney, e bija e ish-nënpresidentit republikan, Dick Cheney, ka shërbyer në administrata amerikane para se të zgjidhej në Kongres më 2016. Por, që të dyja tani kanë vënë Partinë Republikane përballë një dileme të rëndë të identitetit.