Botë

Trumpi grumbullon donacione milionëshe para impiçmentit të dytë

Komiteti i Trumpit për veprim politik “Save America” ka nisur vitin me plot 31.1 milionë dollarë të grumbulluar në kesh, teksa ish-presidenti pritet që më 9 shkurt të ballafaqohet me procesin e dytë të impiçmentit në Senat dhe po punon në betonimin e forcës së tij politike në Partinë Republikane

Komiteti i ri politik i Donald Trumpit ka mbledhur më shumë se 30 milionë dollarë në javët e fundit të 2020-s, në kohën kur ai po ngrinte dyshime të vazhdueshme dhe të pabaza rreth zgjedhjeve, kanë treguar gjetjet më të fundit të zbardhura nga agjencia amerikane e lajmeve CNN.

Komiteti i Trumpit për veprim politik “Save America” ka nisur vitin me plot 31.1 milionë dollarë të grumbulluar në kesh, teksa ish-presidenti pritet që më 9 shkurt të ballafaqohet me procesin e dytë të impiçmentit në Senat dhe po punon në betonimin e forcës së tij politike në Partinë Republikane.

Gjetjet e fundit ofrojnë një pasqyrë mbi mbështetjen e vazhdueshme financiare nga baza e mbështetësve besnikë të Trumpit. Ai e kishte formuar “Save America” pak pas humbjes së zgjedhjeve të nëntorit të shkuar. Edhe kur pretendimet e ekipit të tij ligjor për manipulim të zgjedhjeve ishin rrëzuar nga gjykatat kudo në SHBA, Trumpi kërkonte në mënyrë agresive donacione shtesë, duke e forcuar iniciativën e tij për “mbrojtjen e zgjedhjeve”.

Fondet, sipas CNN-it, përbëjnë fuqizim të theksueshëm për Trumpin në kohën kur mund të ketë shpenzime shtesë ligjore në prag të gjykimit që pritet të nisë ndaj tij në CNN. Trumpi ka pësuar goditje në ekipin e tij mbrojtës, pas largimit të pesë avokatëve gjatë fundjavës. Të hënën ai ka njoftuar emërimin e dy avokatëve të rinj, David Schoen dhe Bruce L. Castor.

Por si Schoeni ashtu edhe Castori përbëjnë figura më se kundërthënëse. Castor ishte ballafaquar me kritikua shkaku i vendimit të tij për të mos e dënuar aktorin Bill Cosby, në rastin gjyqësor kundër tij për krime seksuale. Ndërkaq Schoen ka qenë përfaqësuesi ligjor i aleatit të Trumpit, Roger Stone, në rastin për pengimin e hetimeve të Kongresit rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet e vitit 2016.

Gjetjet e reja kanë treguar se derisa “Save America” ka shpenzuar fare pak gjatë javëve të fundit të 2020-s, komiteti i fushatës së Trumpit ka grumbulluar miliona në shpenzime. Në këtë shumë përfshihen më shumë se 4.4 milionë dollarë ndarë për dhjetëra firma ligjore.

Shifrat e CNN-it kanë treguar se Trumpi ka dërguar më shumë se 600 emaila për mbledhje fondesh dhe mbi 220 mesazhe telefonike midis natës së zgjedhjeve, më 3 nëntor, dhe 6 janarit, ditës kur mbështetësit e ish-presidentit vërshuan ndërtesën e Capitolit në përpjekjen e pasuksesshme për ta ndaluar Kongresin që ta certifikojë fitoren presidenciale të demokratit Joe Biden.

Me miliona dollarë shtesë mund t’i sigurohen operacionit politik të Trumpit, teksa ai angazhohet që ta zgjerojë ndikimin e tij përbrenda Partisë Republikane.

Xhirollogaria bankare e fushatës së tij, që daton nga janari, ka nisur menaxhimin me 10.7 milionë dollarë në kesh dhe më pak se 2.7 milionë dollarë borxhe, kanë treguar gjetjet e CNN-it. Komiteti i Trumpit “Bëje Amerikën të Madhe Përsëri” e ka nisur vitin me më shumë se 59.8 milionë dollarë të mbetur në arka. Nën marrëveshjen e mbledhjes së fondeve, “Save America” ka pranuar 75-përqindëshin e parë të donacioneve të mbledhura nëpërmjet komitetit “Bëje Amerikën të Madhe Përsëri”.

Ndërkaq “Save America” veçse është bërë pjesë e infrastrukturës politike të Trumpit.

Ish-presidenti republikan i Shteteve të Bashkuara të Amerikës pritet që më 9 shkurt të ballafaqohet me procesin e impiçmentit në Senatin e ndarë barabar në vija politike.

Me nënpresidenten Kamala Harris, që e thyen baraspeshën prej 50-50 në Senat, Trumpi do të përgjigjet ndaj akuzës së vetme të ngritur kundër tij për nxitjen e kryengritjes në ngjarjet e 6 janarit.

Rruga drejt gjykimit në Senat u hap pasi Dhoma e Përfaqësuesve votoi për impiçmentin e Trumpit në mes të janarit, duke e bërë republikanin të parin president në histori që i nënshtrohet dy herë këtij procesi brenda një mandati. Ai është dhe i pari zyrtar i lartë federal që i nënshtrohet procesit të impiçmentit pas përfundimit të mandatit si president.

I gjithë procesi ka nxitur mospajtime të thella mes besnikëve të Trumpit, që e dominojnë Partinë Republikane, dhe krahut të moderuar që kishte përkrahur impiçmentin e tij në Dhomë. Megjithëkëtë, Trump pritet që t’i shpëtojë dënimit, i cili do ta linte pa të drejtën për të kandiduar, siç edhe ka paralajmëruar, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.