Botë

Izraeli pret kthesë në betejën ndaj COVID-19, pasi ta vaksinojë 1/3 e popullatës

Izraeli thotë se mund ta shoh fillimin e përmbysjes së krizës së COVID-19 pasi të vaksinohet plotësisht një e treta e popullatës.

Një zyrtar i Izraelit ka thënë të dielën se do të duhet disa javë më tepër se që ishte menduar për t’u arritur ky qëllim, raporton agjencia Reuters.

Duke vaksinuar me ritmin më të shpejtë në botë kundër COVID-19, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, kishte vendosur synim që të vaksinohen më të cenueshmit, rreth 24 për qind të nëntë milionë banorëve. Ai kishte thënë se pas vaksinimit të kësaj pjese të popullatës do të jetë e mundur të rihapet ekonomia në shkurt.

Mirëpo, përkundër mbylljes së tretë nacionale, rastet me koronavirus dhe të vdekurit si pasojë e COVID-19 po vazhdojnë të rriten në mesin e atyre që ende nuk janë vaksinuar. Zyrtarët ia lënë fajin varianteve të reja të koronavirusit që janë shumë më ngjitëse.

I pyetur se kur pret që situata të kthehet për të mirë, zëvendës-ministri i Shëndetësisë, Yoav Kirsch, ka thënë për radion Kan: “Synimi ynë është të vaksinojmë 5.5 milionë qytetarë plotësisht dhe në momentin që arrijmë shifrën 3 deri 3.5 milionë të vaksinuar plotësisht, atëherë do ta shihni ndryshimin. Çdo gjë që ka parashikuar kryeministri do të ndodhë, ndoshta me pak javë vonesë”.

Deri të shtunën, 1.7 milionë izraelitë kanë marrë dozën e dytë të vaksinës së Pfizer/BioNTech më tepër se një javë më parë, duke arritur 95 për qind mbrojtje nga COVID-19.

Rreth 1.3 milionë kanë marrë dozën e parë dhe janë duke pritur apo kanë marrë dozën e dytë javën e kaluar, kështu që nuk llogariten plotësisht të vaksinuar.