Botë

Opozita ruse: Rrugët duhet të flasin

Udhëheqësi rus i opozitës, Alexei Navalny, i cili ndodhet në burg në Rusi, bëri thirrje për protesta mbarëkombëtare në fundjavë - të dytat me radhë.

Në një letër të postuar në ueb-faqen e tij, pasi gjykata i refuzoi apelin kundër arrestimit, Navalny kërkoi nga rusët që të lënë mënjanë frikën dhe të organizojnë protesta të reja.

“Dilni, mos kini frikë nga asgjë. Askush nuk dëshiron të jetojë në një vend ku mbretëron tirania dhe korrupsioni. Shumica është në anën tonë”, tha Navalny.

Ai dhe bashkëpunëtorët e tij janë duke planifikuar protesta më 31 janar, pas atyre të fundjavës së kaluar, që kanë nxjerrë qindra mijëra njerëz në rrugë, me gjithë shtypjen brutale të policisë. Autoritetet e rendit kanë ndaluar gati 4,000 njerëz në ato protesta.

Navalny është arrestuar më 17 janar, pas kthimit në Rusi nga Gjermania, ku është shëruar nga helmimi me agjentin nervor “Noviçok”. Navalny ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, për urdhërimin e sulmit me helm - akuzë që është hedhur poshtë nga Kremlini.

Të enjten, një gjykatë ruse e konfirmoi paraburgimin e tij prej 30 ditësh, duke refuzuar apelin e avokatëve për ta lënë të lirë.

Një gjyq që do të mbahet më 2 shkurt, do të përcaktojë nëse një dënim i mëhershëm me kusht i Navalnyt do të shndërrohet në burgim për tre vjet e gjysmë. Ky dënim ka të bëjë me një rast të përvetësimit të fondeve, që konsiderohet gjerësisht si i trilluar dhe i motivuar politikisht.

Prokurorët thonë se Navalny ka shkelur kushtet e lirimit me kusht derisa ka qenë duke u trajtuar në Gjermani.

Navalny, i cili mori pjesë në seancën dëgjimore përmes një video-lidhjeje, tha se arrestimi i tij është një shenjë e “paligjshmërisë”, që është bërë e zakonshme në Rusi. “Kjo ka për qëllim të më trembë mua dhe të gjithë të tjerët”, tha Navalny.

Komiteti Hetues i Rusisë tha se ka hapur hetime penale kundër strategut të lartë të Navalnyt, Leonid Volkov, duke e akuzuar atë për inkurajimin e të miturve për të marrë pjesë në tubime të paautorizuara. Volkov, i cili aktualisht qëndron jashtë vendit, i hodhi poshtë akuzat.

“Rrugët duhet të flasin tani. Nuk ka mbetur asgjë tjetër”, shkroi Volkov në Twitter, duke përsëritur thirrjen për rusët që të dalin në protesta.

Për të sfiduar Putinin, dy ditë pas arrestimit të Navalnyt, organizata e tij ka publikuar një film dy-orësh, i cili pretendon se presidenti rus zotëron një pallat në vlerë prej 1.36 miliard dollarësh në Detin e Zi.

Videoja është shikuar më shumë se 100 milionë herë, duke e rritur edhe më shumë zemërimin e publikut. Putin ka thënë se prona nuk i takon atij. \ REL