Botë

Presidenti amerikan i bindur se procesi ndaj Trumpit “duhet të ndodhë”

Descriptive Text

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka theksuar me plot bindje se procesi i impeachmentit në Senat ndaj pararendësit të tij, Donald Trump, duhet të ndodhë.

Duke folur për të parën herë për rastin në një intervistë për CNN-in, Bideni është shprehur i vetëdijshëm për efektet që veprimi do të ketë në agjendën e tij. Por ka theksuar se ndikimi do të ishte më i rëndë po qe se gjykimi nuk do të ndodhte.

Ai ka thënë po ashtu se nuk beson që rezultati i procesit, që pritet të nisë më 9 shkurt, do të jetë ndryshe prej atij paraprak për aferën me Ukrainën.

Në impeachmentin e 13 janarit në Dhomën e Përfaqësuesve, dhjetë republikanë iu bashkuan demokratëve në votimin kundër Trumpit.

Në Senat, demokratëve do t’u duhet përkrahja e 17 republikanëve për ta dënuar ish-presidentin. Dhe kjo gjë, sipas Bidenit, nuk pritet që të ndodhë. Ai ka thënë se Senati ka ndryshuar së fundi, por jo kaq shumë. Këto komente presidenti demokrat i bëri në ditën kur Dhoma e Përfaqësuesve e dërgoi në Senat padinë, për ta nisur zyrtarisht procesin e impeachmentit të dytë për dhunën në Capitol.

Trumpi është zyrtari i parë federal që i nënshtrohet dy herë impeachmentit brenda një mandati presidencial. Dhe i vetmi që ballafaqohet me gjykim pas përfundimit të detyrës. Po qe se dënohet, Trumpit mund t’i merret e drejta për të kandiduar, siç ka paralajmëruar, në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, në vitin 2024.