Botë

Shpëtohen nëntë minatorë kinezë pasi kishin mbetur të ngujuar në minierë për 14 ditë

Shpëtuesit kinezë kanë nxjerrë nëntë minatorë të gjallë të dielën, 14 ditë pasi ishin bllokuar në minierë si pasojë e një eksplodimi që kishte ndodhur.

Katër të tjerë besohet se janë ende të gjallë në minierë mirëpo për momentin ka qenë e pamundur edhe nxjerrja e tyre, shkruan Reuters.

Pamjet e minatorit të parë të shpëtuar e shfaqin atë shumë të dobët, më rrathë të zi rreth syve.

Në mesin e nëntë minatorëve të nxjerrë, ishte edhe njëri i lënduar.

Njëzet e dy minatorë kishin ngelur të ngujuar në një minierë në Hushan të Kinës më 10 janar si pasojë e eksplodimit ndërkohë që njëri prej tyre nuk ka arritur t’i shpëtojë eksplodimit.