Botë

Joe Bideni betohet si president: Kjo është dita e Amerikës

Descriptive Text

Joe Biden është betuar si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një ceremoni të pazakontë për shkak të masave anti-COVID dhe për shkak të masave të sigurisë si pasojë e protestave të dhunshme që ngjanë para disa javësh, Bideni merr udhëheqjen në një kohë të vështirë për vendin.

Bideni, tash 78-vjeçar, fitoi në zgjedhjet e nëntorit ndaj ish-presidentit Donald Trump, që ka refuzuar të pranojë humbjen. Ai madje ka thyer traditën e gjatë amerikane duke refuzuar pjesëmarrjen në inaugurimin e pasuesit.

Presidenti i ri amerikan, Joe Biden, në adresimin e parë para amerikanëve pas betimit si president i SHBA-së, ka thënë se demokracia në SHBA ka triumfuar përballë çdo gjëje.

“Kjo është dita e Amerikës. Kjo është dita e demokracisë. Ditë e historisë dhe shpresës... Vullneti i qytetarëve është dëgjuar. Kemi mësuar sërish se demokracia është e brishtë, por demokracia ka triumfuar”, ka thënë ai.

Ai ka komentuar protestat e dhunshme, të nxitura nga ish-presidenti Donald Trump, të para disa ditësh në Capitol.

“Kemi mësuar se demokracia është e shenjtë. Tani, në këtë tokë të shenjtë, ku pak ditë më herët dhuna shkundi themelet e Capitolit, ne jemi bashkuar në një komb, nën zotin, të pandashëm, për të kryer transferimin e pushtetit siç kemi bërë që më shumë se dy shekuj”, ka deklaruar ai.

Duke folur për sfidat që e presin administratën e tij, përfshirë luftën e pandemisë dhe rritjen e problemeve racore, Bideni është zotuar se “do të luftojmë dhe ne do të fitojmë” ndaj çdo pengese.

“E di se forcat që na ndajnë janë të thella dhe reale. Por e di po ashtu se s’janë të reja. Historia jonë ka pasur gjithmonë ngecje mes ideales amerikane se të gjithë jemi të barabartë dhe realitetit të tmerrshëm që racizmi, frika, demonizimi na kanë ndarë”, ka shtuar Biden.

Ai ka thënë se asnjëherë s’do të ketë shans dikush që të përmbysë me dhunë certifikimin e fitores së tij presidenciale.

“Cilat janë gjërat që ne si amerikanë i duam?” ka pyetur Bideni. “Shansi, siguria, liria, dinjiteti, respekti, nderi dhe po, e vërteta”.

Ai ka thënë se ngjarjet e fundit me protestat e dhunshme e deklarimet se fitorja e Bidenit ishte vjedhje “na kanë mësuar se ka të vërteta dhe gënjeshtra. Gënjeshtrat thuhen për pushtet dhe përfitime”.

Ai është zotuar se do të përmirësojë aleancat e Amerikës me shtetet tjera të botës.

Në fund të fjalimit, Bideni mbajti një minutë heshtje për të vdekurit nga COVID-19.

Pas tij, në inaugurim artistja 22-vjeçare Amanda Gorman ka marrë vëmendjen pasi lexoi poemën që përfundoi me fjalët se “gjithmonë ka dritë nëse jemi të guximshëm mjaftueshëm për ta parë atë. Vetëm nëse jemi të guximshëm për të qenë të tillë”.


Kamala Harris betohet si zëvendëspresidentja e parë amerikane

Image

17:40 - Kamala Harris është betuar si zëvendëspresidentja e parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Bideni i gatshëm për betim

17:18 - Joe Biden, presidenti i zgjedhur amerikan, është gati për betimin si presidenti i 46-të i SHBA-së. Ai është mirëpritur nga të pranishmit me shumë duartrokitje.


Gjithçka gati për inaugurimin e Bidenit president

17:08 - Shumica e zyrtarëve dhe figurave të larta shtetërore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hyrë në ambientet e Capitolit ku do të bëhet betimi i presidentit të zgjedhur Joe Biden.

Ceremonia është refuzuar nga ish-presidenti Donald Trump që ka lëshuar sot Shtëpinë e Bardhë.

Aty tashmë ka arritur edhe zëvendëspresidentja e zgjedhur, Kamala Harris.

Gjithçka është e gatshme që të bëhet betimi i Bidenit.


Bideni i drejtohet me mesazh emocionues bashkëshortes para inaugurimit

16:55 - Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden i është drejtuar me një mesazh emocionues bashkëshortes, Jilly, pak para inaugurimit si president.

“Të dua Jilly, dhe nuk di si të të falënderoj që je përkrah meje në rrugën tonë përpara”, ka shkruar ai në Twitter.


Bideni arrin në Capitol për inaugurim

Image

16:33 - Eskorta e presidentit të zgjedhur, Joe Biden, ka arritur në hapësirat e Capitolit para inaugurimit të tij.

Liderët e Kongresit pritet ta përshëndesin gjatë hyrjes drejt hapësirës së caktuar për inaugurim.

Bideni pritet të betohet më vonë.


Zëvendëspresidenti Pence arrin për ceremoninë e inaugurimit

 

Image

16:30 - Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, ka arritur në Capitol për ceremoninë e inaugurimit të Joe Bidenit president.

Presidenti në largim, Donald Trump, s’do të marrë pjesë në inaugurim. Ai tashmë është larguar nga Shtëpisë së Bardhë.


Gjykata Supreme evakuohet për shkak të kërcënimeve për bombë

16:21 - Ka pasur një kërcënim për bombë dhe Gjykata Supreme është duke u evakuuar, ka konfirmuar një burim i afërt i CNN-it.

Është konfirmuar po ashtu se ka pasur prezencë të shtuar të Gardës Kombëtare në minutat e fundit.

Ndërtesa e Gjykatës Supreme në SHBA gjendet në rrugën afër Capitolit, ku presidenti i zgjedhur Joe-Biden do të bëjë betimin.


Familjet Obama e Clinton arrijnë për ceremoninë e inaugurimit të Bidenit

16:15 - Ish-presidenti amerikan, Barack Obama dhe ish-Zonja e Parë Michelle Obama kanë arritur në Capitol për inaugurimin e Joe Bidenit president.

Pas tyre në ceremoninë e madhe arritën edhe ish-presidenti tjetër Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij, Hillary Clinton.


15:08 - Bideni nis ditën me shërbesë në kishë

Image

Ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka mbajtur fjalimin përshëndetëse, presidenti i zgjedhur Joe Biden dhe bashkëshortja e tij Jill Biden kanë nisur ditën duke marrë pjesë në një meshë në kishën “St Matthew the Apostle” në Washington DC.

Në këtë meshë janë edhe zëvendëspresidentja e zgjedhur Kamala Harris dhe familja e saj.

Ndërsa pritet t’i bashkohen liderët republikanë në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesëve.

Bideni ka postuar edhe një mesazh në Twitter më herët. Në mesazh thoshte: "Është ditë e re në Amerikë".