Botë

Bidenin e presin sfida të mëdha si president i SHBA-së

Washington, 20 janar (AP) - Joe Biden sot betohet si president i 46-të i SHBA-së, duke e marrë drejtimin e një kombi thellësisht të përçarë dhe duke trashëguar një grumbull krizash dukshëm më të mëdha se ato me të cilat u përballën paraardhësit e tij.

Vetë ceremonia në të cilën transferohet pushteti presidencial, një traditë e shenjtë amerikane, do të shërbejë si një kujtesë për sfidat me të cilat Bideni do të përballet: Inaugurimi do të ndodhë në Capitol të SHBA-së, që u godit nga një rrethim kryengritës dy javë më parë, zona do të jetë e rrethuar nga forcat e sigurisë ngjashëm si të ishte zonë lufte, e po ashtu do nuk do të ketë turma të njerëzve shkaku i rrezikut nga pandemia COVID-19.

Amerikanët u udhëzuan të qëndrojnë në shtëpi, për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të virusit, që ka shkaktuar vdekjen e më tepër se 400 mijë personave në SHBA. Bideni do të marrë primatin, ndërsa e pret një luftë e madhe për rimëkëmbje ekonomike dhe po ashtu edhe për t’i adresuar çështjet e barazisë, ku gjatë gjithë verës së vitit të kaluar kishte protesta për shkak të padrejtësive racore.

Ai nuk do të duartrokitet nga paraardhësi i tij.

Duke shmangur traditën, Donald Trump planifikon të largohet nga Washingtoni në mëngjes, me kohën lokale, me një ceremoni përshëndetëse, dhe nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e Joe Bidenit.

Trumpi vazhdimisht ka kontestuar rezultatin e zgjedhjeve, duke thënë se fitorja i është vjedhur. Madje ai është parë si fajtor për trazirat në Kongres më 6 janar, ku humbën jetën pesë persona.

Në ditën e parë në zyrë, Bideni do të marrë një seri të masave ekzekutive – në lidhje me pandeminë, klimën, imigracionin dhe më tepër – për të shfuqizuar atë që ishte në zemër të agjendës së Trumpit.

Bidenin e presin sfida që i rivalizojnë edhe ato të Abraham Lincolnit dhe Franklin D. Rosseveltit.

“Bideni do të përballet me një seri të krizave urgjente, siç nuk kemi parë më herët, dhe duhet të zgjidhen të gjitha shpejt. Është e vështirë të gjendet një paralele në histori. Mendoj se patëm një përjetim afër vdekjes së demokracisë. Amerikanët që do ta shohin presidentin e ri teksa betohet, në fakt janë në dijeni se sa e brishtë është demokracia jonë dhe se sa shumë duhet për t’u mbrojtur”, ka deklaruar historiani Michael Beschloss.

Bideni do të vijë në zyrë me një ndjeshmëri dhe vendosmëri të lindur nga një tragjedi personale, si dhe me një përvojë të thellë të krijuar në më shumë se katër dekada në Washington. Në moshën 78-vjeçare ai do të jetë presidenti më i vjetër i SHBA-së që është inauguruar.

Më tepër histori do të bëhet, ndërsa Kamala Harris do të bëhet gruaja e parë që inaugurohet si zëvendëspresidente e SHBA-së. Ish-senatorja nga Kalifornia po ashtu do të jetë zezakja e parë dhe po ashtu edhe personi i parë me prejardhje jug-aziatike që emërohet në postin e zëvendëspresidentes.

Të dy do të betohen në ceremoninë e inaugurimit të paprecedentë.

Dhjetëra-mijëra trupa janë në rrugë për të ofruar siguri, saktësisht dy javë pasi protestuesit pro-Trump, të nxitur nga presidenti republikan, iu vërsulën ndërtesës së Kongresit në tentim për të ndaluar certifikimin e fitores së Joe Bidenit.

Atmosfera e tensionuar ngjason me inaugurimin e Abraham Lincolnit, që në mënyrë sekrete ishte transportuar për në Washington për të evituar vrasjen në prag të Luftës Civile, apo Franklin D. Roosevelt të vitit 1945, i cili u përcaktua për një ceremoni më të vogël dhe të sigurt në Shtëpinë e Bardhë në periudhën e Luftës së Dytë Botërore.

Me gjithë paralajmërimet për siguri, Biden ka refuzuar që ta zhvendosë ceremoninë në ambient të mbyllur dhe do t’i adresohet një turme të vogël, por duke e mbajtur distancën në frontin perëndimor të Capitolit.

Trumpi do të jetë presidenti i parë në më tepër se një shekull që shmang ceremoninë e inaugurimit të pasardhësit të tij. Ai ka planifikuar një ceremoni përshëndetëse për vete në Joint Base Andrews para se të hipë për herë të fundit si president në një aeroplan të “Air Force One” për të fluturuar për në Florida.

Bideni ndërkohë është i vendosur të luftojë pandeminë, ku në 100 ditët e para të tij dëshiron të shpejtojë vaksinimin anti-COVID dhe po ashtu të kalojë një pako rimëkëmbjeje në vlerë 1.9 trilionë dollarë.

Ai po ashtu ka thënë se do të propozojë një rregull imigracioni për të krijuar një rrugë tetëvjeçare drejt shtetësisë për imigrantët që jetojnë ilegalisht në SHBA.

Ai planifikon një seri të shpejtë dhjetëditore të urdhrave ekzekutivë që nuk kanë nevojë për aprovim të Kongresit – një pjesë me të cilën do të dëshmojë për dallimin në politika me administratën e kaluar. Në mesin e tyre është shfuqizimi i vendimit të Donald Trumpit për të ndaluar udhëtimin për disa shtete me shumicë myslimane, po ashtu do të marrë vendim për t’u kthyer në akordin e Parisit për klimë, do të bëjë të detyrueshëm mbajtjen e maskave në prona federale, e po ashtu do të urdhërojë për të zbuluar se si të bashkojë fëmijët e ndarë nga familjet gjatë kalimit të kufirit.

“Tash ka nevojë jetike për një lidership të ri, siç kishte nevojë në vitin 1933. Duhet çdo burim nacional për të sjellë që të vihet nën kontroll virusi, të ndihmohet prodhimi dhe shpërndarja e vaksinave, të vaksinohen njerëzit, të nxitet rimëkëmbja ekonomike dhe njerëzit të kthehen në vende të punës apo shkolla”, ka deklaruar historiani Kearns Goodwin.