Botë

SHBA-ja kryen ekzekutimin e 13-të dhe të fundit nën administratën e Trumpit

SHBA-ja të shtunën ka kryer ekzekutimin e 13-të dhe të fundit nën administratën e Donald Trumpit, vetëm disa ditë para se presidenti i zgjedhur Joe Biden të marrë detyrën, derisa ka premtuar se do tentojë t’i japë fund dënimit me vdekje.

48-vjeçari Dustin Higgs është shpallur i vdekur në orën 01:23 të mëngjesit të sotëm, ka thënë përmes një deklarate Byroja federale e Burgjeve.

Higgs ishte dënuar dhe i ishte shqiptuar vendimi me vdekje më 2001 lidhur me kidnapimin dhe vrasjen e tre grave në Marylind në 1996.

Në fjalën e tij të fundit, ai nuk ka pranuar të ketë qenë fajtor për to, shkruan Reuters.

“Dua të them se jam një njeri i pafajshëm”, tha ai duke përmendur emrat e të trija grave. “Nuk i kam urdhëruar vrasjet”, ka shtuar më tej.

Departamenti i Drejtësisë e ka ekzekutuar atë me injeksion vdekjeprurës të pentobarbitalit, në burgun në Terre Haute të Indianës.

Qeveria federale e SHBA-së ka ekzekutuar 10 njerëz vitin e kaluar, tri herë më shumë se në gjashtë dekadat e fundit.

Pas një takimi me tri gratë, Higgs dhe bashkëpunëtori i tij Willis Haynes u ofruan atyre t’i dërgojnë në shtëpi, por i dërguan në tjetër vend. Prokurorët kishin thënë se Higgs i ka dhënë Haynes një armë dhe i ka thënë që t’i vrasë të tri gratë.

Haynes, që kishte pranuar se ishte gjuajtësi, është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Higgs është dënuar me vdekje.

Higgs dhe një burrë tjetër që ishte në pritje për ekzekutim, kishte rezultuar pozitiv për COVID-19 në dhjetor, por të mërkurën Gjykata Supreme ka kundërshtuar një urdhër nga një gjykatës federal në Washington për të shtyrë ekzekutimin e tyre për disa javë për t’u lënë kohë që të shërohen. Departamenti i Drejtësisë ka ekzekutuar Johnsonin të enjten.