Botë

Trumpi refuzon të marrë përgjegjësinë për sulmin në Kongres

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka refuzuar të marrë përgjegjësi për sulmin në Kongres që ndodhi javën e kaluar e ku humbën jetën pesë persona.

Protestuesit pro-Trumpit në tentim për të penguar certifikimin e fitores së Joe Bidenit ishin futur në Kongres.

Para sulmeve, Trump vazhdimisht kishte pretenduar se fitorja i është vjedhur dhe u vlerësua se ai nxiti turmën drejt sulmit.

"Nëse keni lexuar fjalimin tim, ajo që kam thënë ishte totalisht e përshtatshme", tha Trump, raportojnë mediumet amerikane të martën.

Ai ka folur edhe për bllokimin e tij në rrjetet sociale dhe këtë e ka quajtur gabim katastrofal të kompanive që i drejtojnë këto rrjete.

Ai iu referua fjalimit që mbajti para se të ndodhnin sulmet. Trump foli sot për gazetarët para se të nisej për në Teksas, që është paraqitja e pare publike që prej sulmeve të 6 janarit.