Botë

Trumpi thyen traditën 152-vjeçare në SHBA

Foto: Reuters

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi të premten se nuk do të marrë pjesë në inaugurimin e Joe Bidenit president, duke i dhënë fund spekulimeve për vendimin e tij. Ai me këtë rast thyen traditën më të gjatë se 150 vjeçare në SHBA për të shmangur ceremoninë e betimit të pasardhësit. Bëhet vetëm presidenti i katërt në histori të SHBA-së që vepron kështu.

“Për të gjithë ata që kanë pyetur, unë s’do të marr pjesë në inaugurim më 20 janar”, ka njoftuar ai në Twitter, disa orë para se llogaria e tij të mbyllej për shkak të rrezikut se mund të rinxisë dhunë.

Njoftimi erdhi pak ditë pasi ai pranoi se do të lejojë kalimin paqësor të pushtetit.

Shumica e presidentëve amerikanë në të kaluarën kishin marrë pjesë në inaugurimin e pasardhësve. Kjo traditë konsiderohet si simbol i kalimit paqësor të pushtetit. Edhe kandidatët që kanë humbur shpesh kanë marrë pjesë në këtë ceremoni.

Trumpi bëhet presidenti i parë që shmang ceremoninë që nga Andrew Johnson më 1869, shkruajnë mediat amerikane. Demokrati Johnson s’kishte arritur të siguronte as nominimin për mandatin e dytë dhe në zgjedhjet e ardhshme fitues doli Ulysses Grant i Partisë Republikane. ai po ashtu ishte presidenti i parë ndaj të cilit pati akuzë (‘impeach’) – Trumpi është i treti, pas Bill Clintonit.

Para Johnsonit, dy ish-presidentë të tjerë shmangën inaugurimin e pasardhësve. John Adams u largua nga Washingtoni më 1801 para ceremonisë së Thomas Jeffersonit që e kishte mposhtur. I biri i Adamsit, John Quincy Adams, presidenti i gjashtë, refuzoi pjesëmarrjen në inaugurimin e Andrew Jacksonit.