Botë

Së paku katër të vdekur nga trazirat në Washington

Së paku katër persona kanë vdekur gjatë trazirave në Kongres në Washington të mërkurën, ka njoftuar policia në Washington DC, raportojnë mediumet amerikan.

Tre persona kanë vdekur nga emergjencat mjekësore, sipas Policisë ndërsa një grua është qëlluar nga një polic brenda objektit të Kongresit.

 

Është mësuar edhe identiteti i gruas që u qëllua, është një ish-veterane e forcave ajrore, Ashli Babbit. Ajo ishte futur në kompleks së bashku me protestuesit tjerë pro-Trump.

“Ne nuk do ta dimë arsyen e vdekjes së tre tjerëve – besojmë se është ndonjë lloj emergjence mjekësore. Viktima që ishte qëlluar me plagë të marrë nga arma...ajo është transportuar nga vendi i ngjarjes për në spital”, ka thënë shefi i departamentit të Policisë Metropolitane të Washingtonit, Robert Contee.

Ndërkohë kryebashkiakja e Washingtonit, Muriel Browser, ka vendosur ta zgjasë gjendjen e emergjencës publike për 15 ditë, si rezultat i trazirave të mërkurën. Gjendja emergjente do të mbetet derisa inaugurohet presidenti i zgjedhur Joe Biden.

Nga Policia e Washingtonit është njoftuar se janë arrestuar 52 persona, 26 prej tyre brenda godinës së Kongresit.