Botë

Në betejën e Georgias, Trumpi mundohet ta shkatërrojë besimin në demokraci

Zgjedhjet do ta përcaktojnë fatin e ardhshëm politik të Shteteve të Bashkuara, pasi që do të vendosin nëse krejt pushteti do të kalojë në duar të demokratëve – të cilët kanë fituar presidencialet me Joe Bidenin dhe shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve – apo republikanët do ta ruajnë kontrollin e Senatit. Edhe aty zgjedhjet kaluan në hije të Trumpit

Washington, 5 janar – Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thelluar edhe më shumë batakun politik amerikan në prag të rundit të dytë të zgjedhjeve për dy senatorët e shtetit të Georgias, duke u munduar të përmbyste rezultatin dhe shkatërruar besimin në demokraci në ditët e tij të fundit në krye të Shtëpisë së Bardhë, vlerësohet në kryeartikullin e televizionit CNN.

Zgjedhjet në Georgia do ta përcaktojnë fatin e ardhshëm politik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi që do të vendosin nëse krejt pushteti do të kalojë në duar të demokratëve – të cilët kanë fituar presidencialet me Joe Bidenin dhe shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve – apo republikanët do ta ruajnë kontrollin e Senatit.

Senatorët republikanë, David Perdue dhe Kelly Loeffler, po mundohen të ruajnë mandatet kundrejt sfiduesve demokratë, John Ossoff, filmbërës dokumentarësh dhe Raphael Warnock, pastor në një kishë historike të afro-amerikanëve në Atlanta, në një shtet ku Bideni fitoi me epërsi të ngushtë në presidencialet e 3 nëntorit.

Tri ditë para zgjedhjeve në Georgia, skena politike amerikane u trondit kur gazeta “Washington Post” publikoi audio-incizimin e bisedës telefonike të presidentit Trump me sekretarin e Shtetit të Georgias, ku shefi i Shtëpisë së Bardhë i kërkonte të përmbyste fitoren në zgjedhjet, duke i kërkuar shprehimisht “t’i gjente 11.780” vota në garën politike kundër demokratit Joe Biden.

Në analizën e televizionit CNN thuhet se presidenti Trumpi “përhapi rrena, teori konspiracioni dhe pretendime të rreme të mashtrimit të zgjedhjeve para një turme të zemëruarish në Georgia në një udhëtim të planifikuar për t’u ndihmuar dy republikanëve” në rundin e dytë për përfaqësimin e këtij shteti në Senatin federal. Sipas ligjit zgjedhor të Georgias është dashur të mbahej edhe raundi i dytë, për shkak se asnjëri prej kandidatëve nuk ia kishte dalë të fitonte më shumë se pesëdhjetë për qind të votave të nevojshme.

“Por si zakonisht, dhe sikur ka ndodhur gjatë katër viteve të kaluara, përfshirë pandeminë që po përkeqësohet rrufeshëm e që ai e injoroi, shqetësimi kryesor i presidentit ishte vetvetja”, shkruan televizionin amerikan, që ka qenë në qendër të thumbimeve e akuzave të liderit që po kalon ditët e fundit në krye të fuqisë më të madhe botërore.

“Meqë ra fjala, nuk ka asnjë mundësi se e kemi humbur Georgian, këto ishin zgjedhje të kurdisura”, ka deklaruar Trumpi në fillim të fjalimit, fjalë të pasakta të dala nga goja e tij pasi zbriti nga helikopteri. Më tej foli edhe për krejt procesin zgjedhor të 3 nëntorit.

“Kur ju fitoni me epërsi të madhe dhe ata jua vjedhin fitoren dhe kurdisen, kjo është e papranueshme”, është shprehur Trumpi, pa e ofruar asnjë dëshmi se u manipuluan zgjedhjet presidenciale.

Të dhënat e fundit të Komisionit të zgjedhjeve kanë treguar se Bideni kishte më shumë se tetë milionë vota më tepër se Trumpi në nivel vendi. Bideni e fitoi garën edhe në Kolegjin Zgjedhor me 306 elektorë që e mbështetën demokratin kundrejt 232 syresh që e votuan Trumpin.

Trumpi është zotuar edhe në Georgia se nuk do ta pranojë disfatën, por nuk ia ka dalë të bindë se si saktësisht do ta përmbytë një proces zgjedhor kushtetues, i cili e nxori Bidenin president. CNN-ja vlerëson se Trumpi do të bëjë çmos që të davaritë besimin e qytetarëve amerikanë në demokracinë “si akti i fundit i hakmarrjes” së tij pas largimit nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar.

Gabriel Sterling, menaxher i zbatimit të sistemeve në zyrën e Sekretarit të Shtetit në Georgia, është një prej republikanëve që ende beson dhe e mbron të vërtetën. Ai u bë i njohur vetëm kur në nëntor doli në televizione kombëtare dhe e sfidoi presidentin Trump pas akuzave të pathemelta.

“Arsyeja pse jam këtu sot është se ka njerëz në pozita autoriteti dhe respekti, të cilët kanë thënë se votat e tyre nuk janë numëruara dhe kjo nuk është e vërtetë”, ka deklaruar Sterling.