Botë

Policia përleshet me protestuesit që kundërshtojnë rektorin e emëruar nga Erdogani

Descriptive Text

Policia turke është përleshur të hënën me studentët e ngritur në protesta kundër emërimit nga presidenti Recep Tayyip Erdogan të rektorit të ri në njërin prej universiteteve kryesore të vendit.

Këtë emërim, ata e quajtën proces jodemokratik. Nëpërmjet një dekreti të publikuar të dielën, Erdogan e emëroi Melih Bulun për rektor të Universitetit Boaziçi në Stamboll. Veprimi nxiti revoltimin e studentëve dhe akademikëve, të cilët bënë thirrje për dorëheqjen e Bulusë.

Gjatë protestës, student bërtitën “Melih Bulu, nuk është rektori ynë” dhe “Nuk duam rektor të emëruar nga shteti”. Disa studentë, të cilët arritën që të hyjnë në kampus, rrethuan njërin prej komplekseve universitare, ku më vonë shpërthyen përleshjet me forcat e sigurisë.

Bulu, për të cilin mediet turke raportuan të ketë aplikuar për të qenë kandidat i partisë së Erdoganit – AKP – në zgjedhjet parlamentare të 2015-s, është i pari rektor i zgjedhur jashtë Universitetit që prej puçit ushtarak të viteve ‘80 në Turqi.

Nëpërmjet një mesazhi të shpërndarë në mediet sociale, anëtarët e fakultetit Boaziçi kanë bërë të ditur se emërimi i tij i shkel qartë liritë akademike dhe autonominë shkencore, si dhe vlerat demokratike të Universitetit.