Botë

Trumpi i bën presion zyrtarit të Georgias që “të gjejë” vota për të përmbysur rezultatin

Washington, 4 janar (Reuters) – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka bërë presion zyrtarit të lartë zgjedhor të Georgias që “të gjejë” mjaftueshëm vota për të përmbysur humbjen e tij në këtë shtet, sipas një telefonate njëorëshe të regjistruar, e cila u publikua dje në mediumet amerikane.

Telefonata, e cila thuhet se është bërë të shtunën, është lëvizja e radhës e Trumpit në angazhimin dymujor të tij për të përmbysur humbjen nga demokrati Joe Biden në zgjedhjet presidenciale në SHBA të 3 nëntorit. Trumpi ka insistuar se ka pasur mashtrim të madh në zgjedhje dhe ekipi i tij ka pasur disa përballje ligjore për këtë.

Telefonata e Trumpit që ia bëri sekretari të shtetit të Georgias, Brad Raffensperger, po ashtu një republikan, erdhi ndërsa disa aleatë të Trumpit në Kongres të SHBA-së po planifikojnë ta kundërshtojnë certifikimin formal të fitores së Bidenit të mërkurën. Ish-zëvendëspresidenti i SHBA-së, Biden, ka fituar me 306:232 në vota elektorale dhe me më tepër se 7 milionë vota në total.

Në telefonatën, që është publikuar nga “Washington Post”, Trumpi vazhdimisht i ka bërë presion Raffenspergerit që të deklarojë se Trumpi ka marrë më tepër vota se Bideni.

“E gjitha që dua ta bëj është: Dua të gjej 11.780 vota, që është një më tepër se që kemi”, dëgjohet Trumpi duke i kërkuar Raffenspergerit. “Nuk ka asgjë të gabuar të thuash se i ke rillogaritur”.

Shteti i Georgias ka bërë tri rinumërime, duke çuar në dy certifikime zyrtare të fitores së Bidenit. Rezultati final tregon se Bideni ka fituar me 11.779 vota më tepër se Trumpi, nga rreth 5 milionë vota sa kanë qenë.

Raffensperger ka refuzuar pretendimet e Trumpit, duke i thënë atij se të dhënat që i ka janë të gabuara.

Bob Bauer, këshilltar i lartë i presidentit të zgjedhur Biden, ka thënë se audoincizimi përmbledh “gjithë storien e turpshme të sulmit të Donald Trumpit ndaj demokracisë amerikane”.

Veprimet e Trumpit janë përcjellë me kritika të menjëhershme nga ekspertë të ligjit zgjedhor.

Profesori i juridikut në Universitetin e Georgia State, Anthony Michael Kreis, ka thënë se Tumpi ka shkelur ligjet shtetërore dhe federale.

“Nëse ndonjë person tjetër do ta kishte bërë këtë, nuk kam dyshim se së paku një hetim penal do të hapej menjëherë”, ka thënë Kreis, duke shtuar se nuk beson se kjo do të ndodhë në rastin e Trumpit.

Nëse Trumpi persekutohet, atëherë ai do të kundërshtonte duke thënë se vërtet beson se zgjedhjet janë manipuluar, thotë Justin Levitt, profesor i specializuar në ligjin zgjedhor në Loyola Law School.

Fitorja e ngushtë e Bidenit në Georgia ishte e para e një kandidati demokrat për president e arritur në këtë shtet me vite të tëra.

Trumpi gjatë telefonatës mundohet ta bindë Rraffenspergerin ta përmbysë rezultatin.

“Ne kemi fituar zgjedhjet dhe nuk është korrekte të na marrin ashtu. Dhe do të jetë shumë e kushtueshme në shumë mënyra. Mendoj se duhet të thuash se duhet të rikontrollosh këtë”, tha Trumpi.

Që nga humbja, Trumpi ka inkurajuar përkrahësit e tij të mbajnë marshime nëpër rrugë. Raffensperger dhe punonjësit e tjerë elektoralë janë përballur me kërcënime, ku disa është dashur të fshiheshin.

Edhe po të fitonte Trumpi 16 votat elektorale të Georgias, prapë ai do të pësonte humbje nga Bideni në zgjedhjet e SHBA-së.
 

Audio-incizimi në të cilin Trumpi iu kërkon zyrtarëve të Georgias “t’i gjejnë” 11.780 vota: