Botë

Rusia i ka vaksinuar mbi 800 mijë persona kundër COVID-19

Descriptive Text

Më tepër se 800 mijë persona në Rusi janë vaksinuar kundër COVID-19 dhe më tepër se 1.5 milionë doza të vaksinave janë dhënë, ka njoftuar ministri i Shëndetësisë, Mikhail Murashko, raporton Reuters.

Rusia, që ka filluar të vaksinojë qytetarët e saj me vaksinën Sputnik V, ka numrin e katërt më të lartë në botë të rasteve me COVID-19.

Nga 1 janari, njerëzit që po vaksinohen në Rusi janë duke marrë certifikata elektronike të vaksinimit, ka thënë Murashko për agjencinë ruse të lajmeve TASS. Ministria është duke mbajtur një bazë të dhënave për personat që po vaksinohen.

Sputnik V, vaksinë që Rusia ka filluar ta dërgojë edhe në shtetet tjera, jepet në dy doza. Dozat duhet marrë 21 ditë ndaras nga njëra-tjetra.

Rusia ka dërguar 300 mijë doza të vaksinës në Argjentinë javën e kaluar, duke nxitur reagime nga qytetarët rusë, që kanë thënë se duhet të ketë më tepër vaksina për ta.

Të shtunën, Rusia ka raportuar 26.301 raste të reja me koronavirus, duke çuar shifrën totale në 3.212.637. Numri i të vdekurve është rritur për 447 në 24 orët e fundit, duke çuar shifrën totale në 58.002.