Botë

Kancelarja Merkel lut gjermanët që ta vazhdojnë betejën ndaj pandemisë

Kancelarja gjermane Angela Merkel, në mesazhin e saj për Vitin e Ri, ka porositur bashkëkombësit e saj që të mbajnë disiplinën për të luftuar pandeminë e koronavirusit edhe gjatë vitit 2021.

Kancelarja Merkel ka thënë se përballja me pandeminë ishte dhe është detyra e shekullit për gjermanët. Sondazhet në muajt e fundit kanë treguar se gjermanët e vlerësojnë lart angazhimin e Merkelit në betejën ndaj pandemisë.

66-vjeçarja me qeverinë e saj ka menaxhuar mirë pandeminë dhe ka miratuar një seri të pakove për të mbajtur gjallë ekonominë e goditur rëndë nga pandemia.

Gjermania hyn në vitin 2021 me izolimin që pritet të zgjasë deri më dhjetë janar. Shteti më i fuqishëm i Evropës ka regjistruar deri më tani 1.6 milionë raste dhe 32 mijë të vdekur nga koronavirusi.