Botë

Pse vaksina anti-Covid e AstraZenecas është aq e rëndësishme për ekonominë globale?

London, 30 dhjetor (CNN) – Britania e Madhe sot është bërë shteti i parë që ka aprovuar vaksinën anti-COVID të zhvilluar nga Univeristeti i Oxfordit dhe AstraZeneca. Vaksina ësahtë më e lirë dhe më e lehtë për ta shpërndarë sesa vaksinat tjera, dhe pritet të luajë rol kyç për t’i dhënë shtytje ekonomisë globale vitin e ardhshëm.

AstraZeneca ka thënë se dozat e para të vaksinës kanë nisur të shpërndahen sot dhe se vaksinimi pritet të nisë në fillim të vitit të ardhshëm. Aprovimi vjen pas rritjes dramatike të rasteve të reja me koronavirus në Britani të Madhe.

“Në prova ësahtë dëshmuar se vaksina është e sigurt dhe efikase për të parandaluar COVID-19 simptomatik, ku nuk ka pasur raste të rënda dhe hospitalizomi për më tepër se 14 ditë pas dozës së dytë”, thuhet nga AstraZeneca.

Pse kjo vaksinë është aq e rëndësishme për ekonominë globale?

AstraZeneca ka premtuar se do të furnizojë me qindramiliona doza shtetet e varfëra dhe ato me të hyra mestarë dhe do të ofrojë vaksinën pa qëllime përfitimi te ato vende.

Vaksina është dukshëm më e lirë se të tjerat që janë aprovuar, dhe dukshëm më e lehtë për të transportuar. Ndryshe nga vaksinat e zhvilluara nga Moderna dhe nga Pfizer/BioNTech, ajo e AstraZenecas nuk ka nevojë të ruhet në temperatura shumë të ulëta.

AstraZeneca ka thënë se po punon me partnerë, përfshirë Institutin Serum të Indisë, për të ndërtuar kapacitetin prodhues për deri 3 miliardë doza në vitin 2021.

Krahasuar me këtë, Pfizer pret të prodhojë deri 50 milionë vaksina në vitin 2020 dhe deri 1.3 miliardë doza në vitin 2021. Moderna ka thënë muajin e kaluar se planifikon të prodhojë 500 milionë deri në një miliard doza vitin e ardhshëm.

Shtetet më të pasura në botë kanë rezervuar shumicën e dozave që planifikojnë t’i prodhojnë Pfizeri dhe Moderna. Kjo e bën AstraZenecan edhe më të rëndësishme për ekonomitë në zhvillim.

Merrni si shembull Indinë. Ekonomia e tretë më e madhe në Azi nuk ka porositur vaksinat e Pfizerit dhe Modernas, por pritet të marrë qindramiliona doza të vaksinës së AstraZenecas.

“Efikasiteti i vaksinës së Oxfordit/AstraZenecas është shenja më inkurajuese që India ka marrë në rrugën drejt përfundimit të pandemisë COVID-19 dhe distanca sociale po vazhdon të rëndojë në ekonomi”, kanë thënë analistët e Capital Economics.

India, që është një prej prodhueseve më të mëdha të vaksinave, mund ta aprovojë vaksinën e AstraZenecas shumë shpejt, sipas raportimeve në media.

Dozat po prodhohen në këtë shtet nga Instituti Serum i Indisë.

Ekipi që ka zhvilluar vaksinën e AstraZenecas ka thënë në të kaluarën se ka efikasitet mesatar prej 70 për qind, ndërsa regjimi me një dozë po tregon efikasitet 90 për qind. Nuk është aq e lartë krahasuar me efikasitetin e vaksinës së Pfizerit dhe Modernas.

Bashkimi Evropian pritet po ashtu së shpejti ta aprovojë vaksinën e AstraZenecas, madje kjo kompani ka aplikuar për aprovim emergjent në Autoritetin Evropian të Barnave (EMA). Po ashtu edhe në Brazil po pritet të bëhet aprovimi i vaksinës.