Botë

Britania pranon se bizneset do t’i pësojnë pasojat e shkurorëzimit me BE-në

Një rrugë me gunga i pret bizneset dhe udhëtarët britanikë, pasi që ata do të përballen me rregullat e reja të Bashkimit Evropian pas finalizimit të daljes së Britanisë së Madhe nga blloku evropian, ka paralajmëruar ministri Michael Gove.

Ai ka thënë se do të ketë ndryshime praktike dhe procedurale pas përfundimit të periudhës transitore të Brexit-it, më 31 dhjetor. Gove ka thënë gjithashtu se BE-ja do të shtojë kontrollet, përfshirë tarifat e roamingut për thirrje telefonike.

Ambasadorët e Bashkimit Evropian e kanë aprovuar marrëveshjen tregtare post-Brexit, duke e hapur rrugën për ta fuqizuar nga 1 janari.

Sipas rregullave të BE-së mund të fillojë zbatimi i përkohshëm, edhe pse marrëveshja duhet të votohet në janar edhe në Parlamentin Evropian. Në Mbretërinë e Bashkuar, deputetët do të votojnë të mërkurën.

Qeveria britanike ka paralajmëruar se pritet të arrijë marrëveshje me Turqinë për vazhdimin e ujdisë në fuqi edhe pas daljes nga BE-ja. Qeveria e Boris Johnsonit i ka paralajmëruar bizneset se është shumë e shkurtër koha për përgatitjet përfundimtare para se të përfundojë periudha transitore.