Botë

Putini ua tregoi muskujt rusëve dhe botës

Rusia e nisi vitin me paqartësi të madhe politike, pastaj çimentoi të ardhmen e Putinit, dhe e mbylli vitin me helmimin e figurës më të madhe opozitare – dhe marrëdhënieve të ardhme me administratën e Joe Bidenit, vlerësohet në një analizë të “Foreign Policy”

Rusia e nisi këtë vit me një paqartësi të madhe politike, derisa Vladimir Putin po përballej me kufizimet kushtetuese të mandatit presidencial që mund t’ia këpusnin shpresat për t’u kthyer në liderin më jetëgjatë në pushtet që prej sundimit të Joseph Stalinit, shkruan në një analizë të ekspertëve të revistës amerikane “Foreign Policy”.

Në janar Rusia bëri ndryshime të mëdha politike – që nuk e prekën edhe Putinin – kur kabineti qeveritar dha dorëheqje si ekip, duke ia hapur rrugën shefit të Kremlinit për të emëruar një inspektor të panjohur taksash në postin e liderit të Qeverisë ruse. Dhe në korrik, në kohën kur bota po debatonte nëse duhej të mbaheshin zgjedhjet dhe referendumet për shkak të masave të pandemisë, rusët dolën në referendum për ta ndryshuar Kushtetutën me qëllim që t’i hapej rruga Putinit për dy mandate të tjera presidenciale pas përfundimit të aktualit më 2024.

Lufta e tërthortë me Amerikën

FP-ja në kronologjinë e ngjarjeve kryesore politike në vend, hapësirë u ka kushtuar edhe protestave në qytetin e largët lindor Khabarowsk.

“Putini dhe besnikët e tij u morën me kërcënimin më të madh opozitar frontal, duke e helmuar rivalin Alexei Navalny me një variant të ri të agjentit nervor ‘Novichok’”, vlerësohet në analizën e gjatë të bazuar nga raportimet e korrespodentëve të revistës politike amerikane nga Rusia. Më tej bëhet e ditur se mercenarët rusë u angazhuan në luftime në Libi, duke dëshmuar se Putini ishte i gatshëm për t’ua treguar muskujt jo vetëm rusëve brenda vendit, por edhe liderëve të shteteve rivale jashtë. Rusia do të akuzohej për ndarje të fondeve militantëve talebanë për të vrarë ushtarë amerikanë në Afganistan. Në fund të vitit, mediat amerikane raportuan se sulmet kibernetike që druhej se ishin kryer nga kinezët, në fakt ishin vepër e rusëve të mbështetur nga strukturat më të larta shtetërore.

“Presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden, do të ketë shqetësime me bollëk kur të marrë timonin në janar, prej menaxhimit të pandemisë deri te ekonomia e dobët ose elektorati i polarizuar skajshmërisht”, analizojnë gazetarët e FP-së. “Por si tre – ose shtatë, ose nëntë – presidentët para tij, ai do ta ketë në mendje edhe Rusinë. Por, ju lutem, thonë ekspertët, të mos ketë më ‘rivënie’”

Si e ndryshoi Putini përgjithmonë Rusinë

Putini e ka shënuar sivjet 20-vjetorin e ardhjes në majën e pushtetit, kur edhe u betua si president i ri i Rusisë. Në mesin e atyre që kanë folur për punën e Putinit gjatë kësaj periudhe të gjatë të sundimit të tij janë përfshirë edhe dijetarë, gazetarë dhe ish-diplomatë. Ai është një prej liderëve më jetëgjatë në pushtet në mbarë botën, por mund të kthehet në liderin me kohën më të gjatë në histori të Rusisë. Por në kohën kur Putini flet për kthimin e madhështisë së Rusisë, vetë Rusia është kthyer në një vend përherë e më të izoluar dhe i përballur me sanksione të pashembullta ndërkombëtare, ka shkruar Vladimir Milov, politikan i njohur opozitar rus dhe këshilltar ekonomik i liderit kryesor të opozitës, Alexei Navalny.

Represioni i brendshëm

Sophie Pinkham, gazetare njujorkeze që ka raportuar nga Rusia për gazetat e revistat më të mëdha politike në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se normaliteti ka marrë fund në Rusi për shkak të lidershipit të sertë të ish-agjentit të KGB-së sovjetike.

Image

“Arrestimi në korrik i Sergei Furgalit, guvernator i rajonin të largët lindor të Rusisë, Khabarovsk , nxiti protesta për muaj me radhë. Ai akuzohej për përfshirje në vrasje të katërfishtë në mes të viteve 2000, por veprimi u pa si përpjekje për ta shtypur guvernatorin popullor, i cili e kishte mposhtur befasishëm rivalin e përzgjedhur nga Kremlini në zgjedhjet e vitit 2018”, ka thënë Pinkham. Ajo vlerëson se megjithëse kjo çështje u mbyll në politikën e brendshme ruse, ku Putini mban frenat e pushtetit, trazirat në rajonet ruse lidhur me shqetësimet mjedisore, ekonomike dhe zhvillimet politike lokale përbëjnë sfidën më të madhe për të ardhmen e Kremlinit, ka shtuar ajo.

Ndërhyrja në punë të brendshme

Amy Mackinnon, gazetare e lirë dhe ish-këshilltare e Kongresit amerikan, thotë se operativi veteran i politikës ruse, Maxim Shugalaey, u arrestua në Libi dhe u akuzua se ishte munduar të përzihej në çështjet e brendshme politike, që edhe ashtu janë të ndërlikuara për shkak të luftës së gjatë civile në shtetin afrikan. Përpjekja për lirimin e tij u kthye në fushatë të Moskës, duke e zgjedhur edhe lider të një rajoni rus për t’ia siguruar imunitetin, apo edhe xhirim filmash.

“Përpjekja ofroi një pasqyrë të zymtë të aktiviteteve të përzierjes ruse tejdeteve, ku figurat e njohura përdoren sikurse MiG-at”, shkruan Mackinnon, duke shtuar gjithashtu se Rusia angazhoi edhe grupin e mercenarëve nën drejtimin e kompanisë “Wagner” në Libi, të njohur për lidhjet e forta me autoritetet më të larta ruse të sigurisë.

“Jo më ‘rivënie’ marrëdhëniesh me Rusinë”

Kurt Volker, ish-ambasador amerikan në NATO, ka analizuar qasjen amerikane nën drejtimin e presidentit të zgjedhur, Joe Biden, kundrejt Rusisë së Putinit. Ai ka thënë se secili pararendës i tij është munduar t’u jepte një shtytje të re marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ka cituar deklaratën e bujshme të George W. Bushit pas takimit me Putinin, kur do të deklaronte se pasi e pa në sy, “pashë shpirtin e tij”. Demokrati Barack Obama kishte nisur atë që do ta quante rivënie të raporteve, por përfundoi me drejtimin e gishtit akuzues se Rusia e Putinit ndërhyri në zgjedhjet amerikane. Pastaj erdhën katër vjetët e presidencës së Donald Trumpit me afërsi të pashpjeguar me liderin rus.

Kurt Volker, ish-përfaqësues special amerikan për negociatat e paqes në Ukrainë, thotë se “në vend të rivënies, Perëndimi duhet të ketë durim për të zbatuar presion të vazhdueshëm dhe të fortë kundër agresionit rus, dhe për të mbështetur ata në Rusi dhe në vendet fqinje që kërkojnë liri, demokraci dhe siguri”, ka deklaruar Volker. “Njëherë e përgjithmonë, është koha që Rusia, e jo Perëndimi, ta rimendojë politikën e vet”.

Nga Shërbimi Sekret në Kremlin

Gazetari Howard Amos shkruan se nëse Bushi, Obama dhe Trumpi patën qasje të gabuar për Putinin, mbase kjo ngjau për shkak se nuk kishin ide se prej nga erdhi Putinit dhe si ishte trajnuar. Putini ishte agjent i KGB-së, i cili me të ardhur në politikë kishte deklaruar bujshëm se shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik ishte katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit të kaluar. Dhe ai iu përvol punës për t’ia kthyer Rusisë madhështinë.

Catherine Bolton, ish-korrespondente nga Moska e “Financial Times”, i ka bërë një ekspoze përmbledhëse mënyrës se si Putini u ngrit nga zyrat e errëta të Shërbimit Sekret në liderin me kohëzgjatjen më të madhe në pushtet pas Stalinit.

“Ata kanë krijuar një sistem që përdor doracakun e KGB-së për të mbajtur kontrollin e sertë të pushtetit, duke manipuluar qindra miliarda dollarë në qarkullim parash, dhe përhapje të ndikimit të thellë rus në Perëndim”, ka deklaruar Amos.