Botë

Mbidoza me vaksinën kundër COVID-19 hospitalizon disa punonjës në Gjermani

Foto: Reuters

Fushata e vaksinimit kundër COVID-19 në Gjermani është lënë nën hije pas një incidenti në veri ku tetë punëtorë në një shtëpi për të moshuarit morën mbidozë me vaksinë.

Autoritetet e distriktit Vorpommern-Ruegen thanë se punonjësit në qytetin Stralsund kanë marrë pesë herë dozën e rekomanduar të vaksinës së BioNTech-Pfizer, të dielën. Katër nga ta shkuan në spital për mbikëqyrje pasi kishin zhvilluar simptoma të ngjashme me gripin.

“Sinqerisht pendohem për incidentin. Ky rast individual ndodhi për shkak të gabimeve individuale. Shpresoj se të gjithë të prekurit nuk përjetojnë ndonjë efekt anësor serioz”, tha shefi i distriktit, Stefan Kerth, transmeton Reuters.

Autoritetet e distriktit përsëritën deklaratat e mëhershme që ishin bërë nga BioNTech se dozat e mëdha ishin testuar në fazën e parë dhe se nuk kishte pasoja serioze. Ndërsa, nga kompanitë farmaceutike nuk pati deklarata.