Botë

Britania e BE-ja ndajnë përfundimisht udhët me ujdinë e arritur tregtare

Descriptive Text

Kryeministri britanik, Boris Johnson, menjëherë pas shpalljes, ka postuar në Twitter një fotografi të tijën, me dy gishtërinjtë e ngritur lart. Ndërsa, kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ishte më reflektuese në komentet e saj gjatë një konference për media, në të cilën iu referua Shakespeares, Beatlesave dhe TS Eliotit

Londër-Bruksel, 24 dhjetor (Reuters) – Ujdia historike rreth relacioneve të ardhshme tregtare dhe të sigurisë midis Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian është arritur në natën e Kërshëndellave, vetëm një javë para fundit të periudhës transitore të Brexit-it, duke nxitur jehona ngadhënjimi në Downing Street dhe reflektime më të ngrysura në Bruksel.

Meqë Britania e Madhe kësisoj shkëput rrugët përfundimisht me bllokun dhe del prej unionit të përbashkët tregtar dhe doganor në natën e 31 dhjetorit, aranzhimet e reja që e mundësojnë qarkullimin e lirë të mallrave tregtare dhe bashkëpunimin e ngushtë policor e gjyqësor do të hyjnë në fuqi.

Njoftimi për arritjen e marrëveshjes e pasoi thirrjen e fundit telefonike midis Boris Johnsonit në Downing Street dhe kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në selinë e saj në Berlaymont të Brukselit – pas të paktën pesë të tillash gjashtë 24 orëve të fundit.

Marrëveshja tregtare – që përthekohet në një dokument prej 2.000 faqesh – është e pashembullt në fushëveprim, pasi që ngërthen dispozita për çështjet që nisin nga bashkëpunimi civil bërthamor e ndërvarshmëria energjetike e deri te peshkimi dhe aviacioni.

“Ujdia është arritur. Gjithçka që publikut britanik iu premtua gjatë referendumit të 2016-s dhe në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të shkuar është jetësuar në këtë marrëveshje”, ka thënë një zëdhënës i Zyrës numër 10.

Triumf e çlirim

 

Image

Kryeministri Johnson, menjëherë pas shpalljes, ka postuar në Twitter një fotografi të tijën, me dy gishtërinjtë e ngritur lart.

Von der Leyeni ishte më reflektuese në komentet e saj gjatë një konference për media, në të cilën iu referua Shakespeares, Beatlesave dhe TS Eliotit.

“Ishte një udhë e gjatë dhe e stuhishme, por e kemi një ujdi të mirë për ta treguar tani. Është e drejtë. Është një ujdi e balancuar. Dhe është kjo gjë e drejtë dhe e përgjegjshme për të dyja anët”, ka thënë ajo. “Në fund të një palë negociatave të suksesshme, normalisht se ndiej gëzim. Por, sot ndiej vetëm një lloj relaksimi të heshtur dhe, thënë sinqerisht, çlirim”.

Marrëveshja që von der Leyeni dhe Johnsoni arritën garanton “zero taksa dhe zero kuota” për mallrat e tregtuara që kapën shifrën prej 668 miliardë funtesh gjatë vitit 2019. Por, kjo do të nënkuptojë gjithashtu kosto të jashtëzakonshme për bizneset, meqenëse eksportuesit do të përballen me kontrolle kufitare nga 1 janari. E edhe liria e lëvizjes në BE për qytetarët britanikë do të përfundojë atë ditë.

Zëdhënësi i Downing Street ka thënë, megjithatë, se marrëveshja do të garantojë që Britania e Madhe të mos jetë “më nën tërheqjen e BE-së, nën regjimin e urdhrave të BE-së”.

“Kjo do të thotë se do ta kemi pavarësinë e plotë politike dhe ekonomike nga 1 janari i 2021-s. Sistemi i imigracionit, i bazuar në kuota, do të na vërë në kontroll të plotë mbi ata që hyjnë në Britani dhe lëvizja e lirë do të përfundojë”, ka shtuar ai.

Përfundimi i lirisë së lëvizjes

Britania ka dalë zyrtarisht nga BE-ja më 31 janar, por që atëherë ka përfituar nga anëtarësia e vazhduar në tregun dhe doganat unike për një vit radhazi, me ç’rast qytetarët kanë pasur të drejtën që të lëvizin lirshëm përreth bllokut.

Përfundimi i periudhës transitore do të prodhojë ndryshime të gjithëmbarshme për bizneset dhe qytetarët britanikë, kur kapitulli i ri i relacioneve të vendit me fqinjët të fillojë.

Bizneseve do t’u duhen dokumentacione dhe kosto shtesë, kur të bëjnë tregti me tregun më të madh të eksportit për vendin. Liria e lëvizjes për shumicën e qytetarëve do të përfundojë, teksa do të kenë kufizime për qëndrim në vendet anëtare të bllokut.

Negociatori kryesor i BE-së për Brexit, Michel Barnier, ka thënë se kjo ishte “një ditë e lehtësimit, por e mbushur me një lloj pikëllimi”. Ai e kritikoi me këtë rast vendimin e Qeverisë britanike për të mos qenë partnere e programit të shkëmbimit të studentëve “Erasmus” dhe për mungesën e bashkëpunimit në politikat e jashtme dhe të mbrojtjes.