Botë

Britania në alarm shkaku i zbulimit të variantit të dytë të koronavirusit

Zbulimi i mutacionit të dytë ka ndodhur në kohën kur Britania është duke bërë përpjekje për frenimin e përhapjes së një varianti të ri të virusit, i cili është rreth 70 për qind më i përhapshëm. “Ky variant i ri është jashtëzakonisht shqetësues, ngase është akoma më i përhapshëm dhe duket të ketë pësuar mutacion të mëtutjeshëm krahasuar me variantin e ri të zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar”, ka specifikuar ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock

Londër, 23 dhjetor (Reuters) – Një variant i dytë, potencialisht edhe më përhapës i koronavirusit të ri që e shkakton sëmundjen COVID-19 është evidencuar të martën në Britaninë e Madhe, nga mesi i udhëtarëve nga Afrika Jugore, ka njoftuar ministri britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock.

Dy rastet e konfirmuara të variantit të dytë, një në Londër dhe një tjetër në veriperëndim të Anglisë, janë kontakte të personave që kanë udhëtuar nga shtetet afrikane, ku forma e re e virusit ishte raportuar fillimisht.

Departamenti i Shëndetësisë në Afrikën e Jugut kishte njoftuar gjatë javës së shkuar se një mutacion i ri gjenetik i virusit është zbuluar dhe se ai mund të jetë përgjegjës për ngritjen drastike të infeksioneve në këtë vend gjatë kohëve të fundit.

“Falë aftësisë së jashtëzakonshme gjenomike të afrikanojugorëve, ne i kemi detektuar dy raste të një varianti tjetër të ri të koronavirusit këtu në Britani”, ka thënë Hancock, gjatë një adresimi para mediave. “Që të dyja rastet janë kontakte të rasteve që kanë udhëtuar nga Afrika Jugore gjatë disa javëve të fundit”.

Zbulimi i mutacionit të dytë ka ndodhur në kohën kur Britania është duke bërë përpjekje për frenimin e përhapjes së një varianti të ri të virusit, i cili është rreth 70 për qind më i përhapshëm. Si pasojë e kësaj, janë duke u ndërmarrë studime të mëtutjeshme lidhur me variantin e ri.

“Ky variant i ri është jashtëzakonisht shqetësues, ngase është akoma më i përhapshëm dhe duket të ketë pësuar mutacion të mëtutjeshëm krahasuar me variantin e ri të zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar”, ka specifikuar Hancock. Ai ka shtuar se kontaktet e afërta të të konfirmuarve me variantin e ri dhe të gjithë ata që kanë qenë në Afrikën e Jugut kohëve të fundit, apo që kanë qenë në kontakt me dikë që ka udhëtuar në këtë vend, duhet që të karantinohen.

Varianti i ri ka ngjashmëri të konsiderueshme me atë të zbuluar ditë më parë në Britani, ndonëse që të dyja format kanë pësuar mutacion veçmas njëra-tjetrës.

Profesori Neil Ferguson nga Kolegji Mbretëror i Londrës ka thënë se shqetësimin më të madh aktualisht e përbën versioni nga Afrika.

“Kjo, ngase janë bërë raportime për shpërthime marramendëse të rasteve të prekjes me këtë virus dhe për ngritje të jashtëzakonshme të rasteve”, ka thënë ai.

Si pasojë e kësaj, ministri Hancock ka paralajmëruar se janë zbatuar kufizime të menjëhershme të udhëtimit nga Afrika Jugore.

Vendet kudo përreth botës kanë mbyllur që nga fillimi i javës kufijtë me Britaninë e Madhe dhe me Afrikën Jugore, si rrjedhojë e identifikimit të varianteve të reja, shumë më të përhapshme të koronavirusit.

“Varianti i ri në Britani, të cilin ne e kemi identifikuar, është shumë më ndryshe prej variantit në Afrikën Jugore. Ai ka pësuar mutacione të tjera”, ka thënë Susan Hopkins nga Shëndeti Publik në Britani. “Që të dy variantet duket të kenë shkallë shumë më të shpejtë të përhapjes. Kemi arritur të sigurojmë dëshmi më të shumta rreth bartjes së variantit britanik, pasi që e kemi studiuar deri në hollësi bashkë me partnerët tanë akademikë. Ende jemi duke mësuar rreth variantit nga Afrika Jugore”.

Ajo, ndërkaq, është shprehur e bindur se përhapja e variantit të ndërlidhur me këtë shtet afrikan mund të vihet nën kontroll dhe ka thënë se vaksinat e zhvilluara deri më tani kundër sëmundjes COVID-19 do të duhej të ishin efikase edhe ndaj versioneve të reja.

“Nuk kemi dëshmi për momentin se vaksina nuk do të funksionojë, andaj ajo çfarë kjo gjë nënkupton në fakt është se ka dëshmi të forta se do të funksionojë, pasi që vaksina prodhon një përgjigje të fortë imunitare dhe ka kapacitet të gjerë veprimi ndaj shumë varianteve të virusit”, ka thënë ajo.

Si pasojë e variantit të ri të koronavirusit, Britania e Madhe është izoluar nga pjesa tjetër e botës, pasi që shtetet kudo kanë mbyllur kufijtë në përpjekje për ta pamundësuar përhapjen e rasteve në vendet e tyre.