Botë

Rrëfimi për nënat që i shesin fëmijët

Descriptive Text

Dhe, disa javë pas publikimit të shkrimit të gjatë hulumtues të mediumit britanik, njëra prej nënave ka ndarë mendjen që të rrëfehet se pse ishte detyruar ta shiste foshnjën. Policia e Kenisë ka bërë të ditur se ka arrestuar shtatë trafikantë të qenieve njerëzore pas raportimit, por në shkrimin e radhës BBC-ja ka dëgjuar edhe anën tjetër të historisë së nënave që i shesin fëmijët. “Çfarë i shtyn ato t’i shesin?” – ngre dilemën mediumi londinez që në fillim të hulumtimit

Emisioni i BBC-së, “Africa Eye”, ka hulumtuar dhe ekspozuar muajin e kaluar tregun e zi të shitblerjes së foshnjave në kryeqytetin e Kenisë, Nairobi. Dhe, disa javë pas publikimit të shkrimit të gjatë hulumtues të mediumit britanik, njëra prej nënave ka ndarë mendjen që të rrëfehet se pse ishte detyruar të shiste foshnjën. Policia vendase ka bërë të ditur se ka arrestuar shtatë trafikantë të qenieve njerëzore pas raportimit, por në shkrimin e radhës BBC-ja ka dëgjuar edhe anën tjetër të historisë së nënave që i shesin fëmijët.

“Çfarë i shtyn...?”

“Çfarë i shtyn ato t’i shesin?” – ngre dilemën mediumi londinez që në krye të hulumtimit.

Adama është njëra prej atyre që kanë ndarë mendjen ta rrëfejë historinë e saj. Ka treguar se si e kishte më të lehtë ta siguronte jetesën sa i kishte gjallë prindërit. Megjithëse përherë i kishte punët pisk, ia dilte disi. Po ndiqte shkollimin me qejf të madh. Nuk është se kishte shqetësime të mëdha për jetën. Por, kur ishte dymbëdhjetëvjeçare i vdiq babai. Pas disa vitesh do t’i vdiste edhe nëna.

“Jeta u vështirësua shumë”, ka rrëfyer ajo. Adama vjen nga një fshat i thellë në Keninë Perëndimore. “U desh ta braktisja shkollimin dhe ta siguroja kafshatën e gojës për veten”.

Adama do të bëhej një prej të miturave të shumta në shtetin afrikan që do të martohej dhe do të mbetej shtatzënë pa arritur moshën e pjekurisë. Por, vetëm tri ditë pas lindjes së foshnjës i vdiq edhe burri. Adama ndihej e vetmuar. Vajza kishte probleme shëndetësore dhe për tetëmbëdhjetë muaj me radhë mezi ia doli t’ia siguronte ilaçet, por i duheshin të ardhura të rregullta për të dyja. Një prej zgjidhjeve - sikurse e bëjnë edhe shumë gra të tjera – ishte t’ia lërë vajzën gjyshes dhe të marrë udhë drejt kryeqytetit Nairobi për ta gjetur një vend pune.

Njohje shprese

Nëna i kishte thënë të mos e hiqte nga mendja se duhej të jetonte e punonte vetëm për vajzën. Puna e parë që bëri në kryeqendër ishte shitja e pjeprit në rrugë. Nuk fitonte shumë, por edhe ato para që i kishte ndarë do t’ia vidhte qiramarrësja tjetër kur do të largohej nga shtëpia.

Adama thotë se jeta ishte e vështirë në Nairobi. Flokët i kishte mbështjellë me shami, me qëllim që të mos u binte burrave në sy. Megjithatë, do të sfidohej prej disa burrave.

“Ata nisën të luanin me mua dhe situata mbërriti në një pikë kur m’u desh të matesha e rrihesha me ta”, thekson ajo.

Adama u detyrua të punonte në ndërtimtari, ku nuk do t’i paguhej djersa e derdhur nga puna e mundimshme. Pastaj shkoi të punonte në një klub nate, ku shefit i kishte thënë se do të ishte më mirë që pagën t’ia dërgonte drejtpërdrejt gjyshes në fshat. Iu përmirësua pak gjendja ekonomike dhe mori një banesë me qira. Ndërkohë u njoftua me një djalosh, me të cilin po kalonte mirë.

Madje, i dashuri i tha se dëshironte të kishin fëmijë. Ajo e kushtëzoi se do të bëhej përsëri nënë nëse do të pranonte ta sillte në Nairobi edhe vajzën që e kishte në kujdestari të gjyshes. Burri u pajtua dhe për pesë muaj me radhë burri kujdesej për qiranë dhe ushqimin, derisa Adama po priste kohën e duhur për ta sjellë në jetë fëmijën e dytë. Pastaj u largua dhe më nuk u shfaq kurrë.

Për mbijetesë

Shumë gra e dinë se çfarë ankthi ndien kur pret të lindësh fëmijë pa e pasur asnjë cent në xhep për ta ushqyer. Dhe shumica prej tyre kurrë nuk do t’ia shisnin fëmijën një të panjohuri. Por, për disa nëna të zhytura në mjerim në Keni shitja e foshnjës te trafikuesit është kthyer në mundësinë e fundit për mbijetesë.

Trafikantët paguajnë shuma jashtëzakonisht të ulëta. Sarah ishte vetëm 17 vjeçe kur mbeti shtatzënë me fëmijën e dytë, pa asnjë cent për ta rritur. Ajo vendosi t’ia shiste djalin e porsalindur një gruaje trafikante për vetëm 20 dollarë amerikanë.

“Asokohe isha e re. Asnjëherë nuk më shkoi mendja se po bëja diçka të gabuar”, thekson ajo. “Pas vitesh nisi të më vriste ndërgjegjja dhe doja që t’ia ktheja paratë”.

Blerësja i kishte treguar se kishte edhe gra tjera që i shisnin fëmijët për shuma të ngjashme parash.

“Shumë gra i shesin fëmijët e tyre për shkak të shumë sfidave. Mbase ajo është përzënë nga shtëpia nga nëna dhe ka mbetur pa kurrgjë, ose ende ishte në shkollë kur kishte ngelur shtatzënë. Kjo mund të përbëjë problem të madh për një vajzë që është në moshën 15 ose 16-vjeçare”, ka thënë gruaja që ndërmjetëson rrjetin e trafikantëve. “Do të gjeni vajza që kanë humbur bebet dhe gjithçka për shkak se nuk kanë asnjë njeri që do t’ua zgjaste dorën e ndihmës”.

Lidere e të zezave

Kenia është një prej shteteve me shkallën më të lartë afrikane të shtatzënive mes të miturave. Ekspertët thonë se problemi është përkeqësuar edhe më shumë për shkak të pandemisë së koronavirusit, me disa syresh që janë shtyrë të futen në prostitucion për të mbijetuar. Vajzat njëherësh po mbesin jashtë sistemit të arsimit.

“Kam dëgjuar shumë histori të grave dhe vajzave në situatë të ngjashme. Vajzat e reja po vijnë në qytete për të kërkuar vende pune, të futen në lidhje dashurie, duke u shantazhuar dhe braktisur nga baballarët e fëmijëve”, thekson Prudence Mutiso, avokate keniane e të drejtave të njeriut, që ka specializuar në mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtat reproduktive.

“Nëse babai nuk paguan, atëherë këto gra dhe vajza duhet të gjejnë forma tjera për t’i siguruar ato të hyra. Dhe kjo i shtyn ato që të shkojnë te shitëset e fëmijëve, me qëllim që të mund të sigurojnë ndonjë të ardhur për veten dhe mbase për fëmijët të sigurojnë kulm mbi kokë. Njerëzit nuk po flasin për këtë punë, por kështu po ndodh në realitet”, ka treguar aktivistja Mutiso në hulumtimin e BBC-së.

Shtatzëna që punoi në ndërtimtari

Adama i ka treguar ekipit të BBC-së se kishte fshehur shtatzëninë sa kishte mundur gjatë kohës sa kishte punuar në ndërtimtari. Por, erdhi një moment kur më nuk mund t’i bartte kovat e çimentos, ose ta fshihte barkun e fryrë. Por, atëherë nuk kishte para për ta paguar qiranë. Qiradhënësi ia dha tre muaj kohë për t’i siguruar paratë e qirasë, por pastaj e nxori jashtë me gjithë plaçkat e pakta. Adama kthehej natën vonë sa për të fjetur dhe largohej ende pa zbardhur drita.

“Isha me fat kur ndonjë ditë siguroja bukë”, ka treguar ajo. “Kishte ditë kur pija vetëm ujë, lutesha dhe flija”.

Dhe kur gratë përfundojnë në derexhe të ngjashme me të Adamas, atëherë natyrisht se në Keni bien në duar të trafikantëve. “Gratë dhe vajzat me shtatzëni të padëshiruara nuk gëzojnë mbështetje nga qeveria”, ka thënë Ibrahim Ali, menaxher i programeve për organizatën bamirëse “Aksioni për Shëndet”.

Adama nuk kishte ide se çfarë opsione legale ofronte vendi për të hequr dorë prej fëmijës së saj në mënyrë të sigurt. Ajo nuk merrte vesh fare as nga procesi i adoptimit. “Nuk merrja vesh fare”, ka thënë ajo. “Kurrë nuk kisha dëgjuar për të”.

Adama përsëri në fshat

Kishte provuar të abortonte, por mjekët nuk e merrnin përsipër për shkak të zhvillimit të foshnjës. Adama kishte menduar t’ia merrte vetes jetën. Por, një grua që do t’i prezantohej si Mary Auma i kishte thënë se do ta ndihmonte. Në klinikën e saj ilegale, në rrugën “Kayole” në Nairobi, ajo drejton rrjetin e shitblerjes së fëmijëve.

“Isha e dëshpëruar dhe nuk kisha tjetër zgjidhje”, thekson Adama.

Auma nuk ia kishte dhënë Adamas 300 dollarët e siguruara nga shitja e djalit të saj. Asaj ia dha vetëm 70 dollarë. Adama është kthyer përsëri në fshat dhe përsëri po përballet me mungesë ushqimi. Ka net kur nuk mund të flejë për shkak të urisë.

I ka rënë pishman që e shiti foshnjën, por mendon se nuk kishte zgjidhje tjetër.

“Nuk isha e lumtur pse e shita beben. Madje nuk doja as t’i prekja ato para”, ka thënë ajo, duke treguar se e njeh lagjen ku po rritet djali i saj. Ndodhet afër shtëpisë kur e nxorën nga shtëpia pak para se ta lindte. “E di se zona është e sigurt”, thekson ajo. “Dhe njerëzit që po kujdesen për të janë të mirë”.

Image
         Sarah ishte vetëm 17 vjeçe kur mbeti shtatzënë me fëmijën e dytë, pa asnjë cent për ta rritur. Ia shiti djalin një trafikanteje për vetëm 20 dollarë amerikanë