Botë

Franca shpërblen me shtetësi punëtorët imigrantë të vijës së frontit kundër koronavirusit

Qindra imigrantë në Francë që po punojnë në vijën e frontit në luftën kundër koronavirusit, janë shpërblyer me shtetësi për shërbimet e tyre, shkruan BBC.

Ministri i Brendshëm i Francës i ka ftuar qytetarët që kanë ndihmuar në luftën kundër COVID-19 të aplikojnë për shtetësi, të cilën do ta marrin me procedurë të shpejt.

Më tepër se 700 prej tyre kanë marrë tashmë shtetësinë apo janë në fazën përfundimtare të marrjes së shtetësisë.

Në këtë mes hyjnë profesionistët shëndetësorë, pastruesit dhe punëtorët në shitore.

Punëtorët në vijën e frontit nëpër botë janë ekspozuar ndaj COVID-19 në një nivel të lartë, ku shumë prej tyre kanë humbur betejën me virusin përfshirë mjekët e infermierët.

Franca është në Top 10 të shteteve më të prekura nga koronavirusi, ku janë konfirmuar më tepër se 2.5 milionë raste dhe kanë vdekur afro 62 mijë persona.

Iniciativa për shtetësi të shpejtë së pari është bërë e ditur në shtator. 74 persona kanë marrë tashmë pasaporta franceze dhe 693 tjerë janë në fazën finale të marrjes së pasaportës. Një total prej 2890 personave kanë aplikuar deri më tash.

Normalisht për të pasur një aplikim të suksesshëm një person duhet të banojë në Francë për pesë vjet dhe të ketë të hyra stabile e të demonstrojë integrimin në shoqërinë franceze.

Por Qeveria ka thënë se punëtorët e vijës së frontit në luftën kundër COVID-19, duhet të jetojnë vetëm dy vjet në Francë për të pasur të drejtë për shtetësi, duke u shpërblyer në këtë mënyrë për shërbimin e tyre.