Botë

Prodhuesit nisin garën e testimit të vaksinave kundër variantit të ri të virusit

Ugur Shahin, shefi ekzekutiv i kompanisë gjermane “BioNTech”, që në bashkëpunim me partnerin “Pfizer” e zhvilluan në më pak se një vit vaksinën e parë të aprovuar kundër COVID-19, ka thënë të martën se i duhen edhe dy javë të tjera për të kuptuar nëse dozat do të mund ta ndalojnë edhe variantin e ndryshuar të virusit

Cyrih-Frankfurt, 22 dhjetor (Reuters) – Prodhuesit më të mëdhenj të ilaçeve në botë, përfshirë “BioNTech”-un dhe “Moderna”-n, kanë nisur të martën testimin e veprimit të vaksinave të tyre kundër variantit të ri jashtëzakonisht përhapës të virusit që ka plandosur Britaninë e Madhe, duke e shkaktuar një sfidë të re në garën për frenimin e pandemisë.

Ugur Shahin, shefi ekzekutiv i kompanisë gjermane “BioNTech” që në bashkëpunim me partnerin “Pfizer” e zhvilluan në më pak se një vit vaksinën e parë të aprovuar kundër COVID-19, ka thënë të martën se i duhen edhe dy javë të tjera për të kuptuar nëse dozat do të mund ta ndalojnë edhe variantin e ndryshuar të virusit.

“Moderna” ka bërë të ditur se pret që imuniteti i gjeneruar prej vaksinës së saj të ofrojë mbrojtje edhe kundër këtij varianti dhe ka njoftuar se do të ndërmarrë testime të reja gjatë javëve të ardhshme për ta konfirmuar një gjë të tillë.

Mutacioni i njohur si i familjes B.1.1.7 mund të jetë mbi 70 për qind më përhapës dhe besohet se mund t’i infektojë edhe fëmijët. Ky variant ka shkaktuar kaos në Britani, duke nxitur një valë ndalesash të udhëtimit që kanë penguar tregtinë me Evropën dhe ka kërcënuar izolimin edhe më të thellë të shtetit ishullor.

Shahini ka bërë të ditur se aktualisht janë evidentuar nëntë mutacione të virusit.

Derisa nuk beson se ndonjëri prej tyre është aq i fuqishëm sa të anashkalojë mbrojtjen e ofruar nga vaksina mARN e “BioNTech”-ut, e cila ishte miratuar edhe nga Bashkimi Evropian gjatë së hënës, ai ka shtuar se edhe 14 ditë apo më shumë të studimeve dhe mbledhjes së të dhënave janë të nevojshme për dhënien e një përgjigje konkrete.

“Shkencërisht është tejet e mundur që përgjigja imunitare nga kjo vaksinë të përkojë gjithashtu edhe për këtë variant të ri të virusit”, ka thënë ai gjatë një bisede me gazetarë. “Vaksina përmban më shumë se 1.270 aminoacide dhe vetëm 9 prej tyre janë ndryshuar (në variantin e ri të virusit). Kjo do të thotë se 99 për qind e proteinës është ende e njëjtë”.

“CureVac” e Gjermanisë ka njoftuar se nuk pret që varianti të ndikojë në efikasitetin e vaksinës së saj eksperimentale, e cila bazohet në teknologjinë e njëjtë të ARN-së sikurse ajo e partnerëve “Pfizer”-“BioNTech”. Kompania ka nisur fazat përfundimtare të testimit për vaksinën kandidate gjatë javës së shkuar dhe është duke i rishikuar vazhdimisht variantet, për të cilat ka njoftuar se janë dukuri e rëndomtë që ndodh gjatë përhapjes së viruseve.

Ndonëse ekzistojnë mutacione të shumëfishta, Shahin i “BioNTech”-ut ka thënë se pjesa më e madhe e përqendrimit të virusit që identifikohet nëpërmjet përgjigjes së qelizave T të trupit ka mbetur e pandryshuar.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka nxitur vendet anëtare që ta heqin bllokadën ndaj Britanisë së Madhe shkaku i variantit të ri. Me një vendim të ri, qytetarët nga Franca dhe BE-ja do të mund të hyjnë në Francë nga shteti ishullor duke nisur nga mesnata e së martës, po qe se ofrojnë si dëshmi testin negativ për COVID-19 të kryer në më pak se 72 orë. Kështu ka njoftuar Zyra e kryeministrit francez.

Franca dhe shumë vende të tjera të botës kanë mbyllur kufijtë me vendin që nga e hëna nga frika se virusi më përhapës do të mund të shpërndahej gjetkë.

“Aeroplanët, anijet dhe treni i Eurostarit do të nisin së operuari sërish të mërkurën në mëngjes”, ka njoftuar ministri francez i Transportit, Jean-Baptiste Djebbari, nëpërmjet “Twitter”-it.

Në njoftimin e Zyrës së kryeministrit thuhet se qytetarët britanikë apo ata të vendeve të tjera, që janë rezidentë të Francës ose BE-së mund të hyjnë në vend apo të kalojnë transit nëpërmjet saj nga Britania, nëse e kanë testin negativ. Qytetarët britanikë apo ata të vendeve të tjera që kanë arsye legjitime profesionale ose të tjera për udhëtim nga Britania gjithashtu do të lejohen të hyjnë në Francë me testet negative.

Rregullat e reja do të jenë në fuqi deri më 6 janar, përderisa nuk bëhen rishikime të tjera pas bisedimeve bilaterale mes Britanisë e Francës apo bllokut evropian si tërësi.