Botë

Izraelitët pritet të votojnë për herë të katërt brenda dy vjetësh

Izraeli pritet që të shkojë në zgjedhje të reja, të katërtat brenda dy vjetësh, pasi ka dështuar përpjekja e fundit për ta mbajtur në këmbë qeverinë dhe për ta evituar shpërbërjen automatike të Parlamentit.

Partia e kryeministrit Benjamin Netanjahu, Likud, dhe ajo e ministrit të Mbrojtjes, Beni Ganc, Aleanca Bardhekaltër, po përplasen për çështjen e buxhetit qysh prej formimit të qeverisë së koalicionit, në maj. Të martën ka dështuar përpjekja e fundit për arritjen e një marrëveshjeje rreth buxhetit. Në parlamentin izraelit, Kneset, 49 deputetë kanë votuar kundër dhe 47 për shtyrje të afatit të miratimit të buxhetit. Sipas ligjit, dështimi i aprovimit të buxhetit e çon vendin në zgjedhje që duhet të mbahen në mars. Do të jetë kjo hera e katërt që izraelitët do të dalin para kutive të votimit brenda vetëm dy vjetësh. Partia e Gancit hyri në koalicion në pranverë, me kusht që kryeministri Netanjahu të siguronte aprovimin e buxhetit për vitet 2020-2021.