Botë

Serbia furnizohet me rreth pesë mijë doza të vaksinës anti-Covid

Serbia është vendi i parë në Ballkan qe mori afro 5.000 doza të para të vaksinën anti-Covid nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech.

Vaksinat janë dërguar në Institutin e Virologjisë, Vaksinës dhe Serave pasi mbërritën me aeroplan.

“Vaksinimi, me shumë gjasë, do të fillojë javën e ardhshme” , ka deklaruar sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë, Mirsad Djerlek.

Autoritetet kanë njoftuar se grupi i parë i vaksinave do të shpërndahet në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit, raporton Reuters.

“Ne presim që t’i marrim edhe 21.000 doza të tjera të vaksinës Pfizer dhe BioNTECH në janar”, ka shtuar Djerlek.

Djerlek ka thënë se autoritetet serbe ishin në negociata për të importuar vaksinën ruse Sputnik V dhe një vaksinë kineze. Çmimi i vaksinës nuk është bërë i ditur.

Në 24 orët e fundit Serbia ka regjistruar 3.685 raste të reja pozitive me koronavirus dhe 47 vdekje.

Që nga fillimi i pandemisë, 300.000 njerëz janë prekur nga COVID-19 në Serbi dhe 2.733 kanë vdekur.