Botë

Mohamed Bouazizi: Ikona e harruar e Pranverës Arabe

Dhjetë vjet nga vetëflijimi protestues i Bouazizit – ndryshe nga egjiptianët të cilët po jetojnë nën një qeveri larg më autoritare se para Pranverës Arabe dhe me popullsitë në Siri, Libi dhe Jemen, të cilat janë zhytur në luftëra civile fraksionesh të ndryshme – tunizianët mund të votojnë lirisht dhe t’i kritikojnë haptas liderët e tyre

Më 17 dhjetor 2010, një burrë i ri u përfshi nga flakët para ndërtesës së guvernatorit në Sidi Bouzid, rajon qendror i Tunizisë. Ai njihej nga familjarët dhe rrethi si “Tarek”, por ndërkombëtarisht do të njihej si “Mohamed Bouazizi”, shitësi 26-vjeçar i pemëve dhe perimeve që do t’ia fuste vetes flakën, duke nxitur një kryengritjes që shumë shpejt do të merrte vrull nga Tunizia për t’u shtrirë në mbarë botën arabe.

Indinjata arabe

Atëherë denoncimi i myftiut, autoriteti më i lartë shpirtëror në vend, nuk ndikoi fare për ta frenuar zemërimin në ngritje, të shoqëruar me solidaritet me reagimin vetëflijues të Bouazizit. Vetëvrasja e tij ishte manifestim i skajshëm kundrejt regjimit qeveritar. Protestat me thirrjet për drejtësi dhe dinjitet morën vrull në krejt vendin. Presidenti i atëhershëm tunizian, Zine el-Abidine Ben Ali, e vizitoi Bouazizin në spital, por muajt pasues me protesta e detyruan në fakt që të arratisej nga vendi ditën e 14 janarit 2011.

Gjatë atij viti, zemërimi dhe indinjata e madhe nisën të përhapeshin me të madhe dhe popujt në vendet fqinje u revoltuan kundër qeverive autoritare në një mori zhvillimesh që u bënë të njohura si Pranvera Arabe. Së pari në Egjipt, protestat anti-qeveritare rrëzuan presidentin Hosni Mubarak. Pastaj, Muammar Gadafi i Libisë u kap dhe u vra nga kryengritësit dhe në fillim të viti 2012, pas një viti protestash, presidenti i Jemenit, Ali Abdullah Saleh, dha dorëheqje. Në Bahrejn dhe Siri, kryengritjet masive nuk rezultuan me ndryshim regjimi.

Zhgënjimi me elitën demokratike

Dhjetë vjet nga vetëflijimi protestues i Bouazizit – ndryshe nga egjiptianët, të cilët po jetojnë nën një qeveri larg më autoritare se para Pranverës Arabe dhe me popullsitë në Siri, Libi dhe Jemen, të cilat janë zhytur në luftëra civile fraksionesh të ndryshme – tunizianët mund të votojnë lirisht dhe t’i kritikojnë haptas liderët e tyre. Por, pavarësisht paqes relative dhe lirive të reja që po i gëzojnë tunizianët, zjarri revolucionar ka nisur të shuhet derisa liderët e zgjedhur në mënyrë demokratike kanë dështuar të përmirësojnë gjendjen ekonomike, ose të luftojnë korrupsionin dhe pabarazinë sociale të trashëguar nga regjimet e mëparshme. Mënyra se si po rrëfehet historia e Bouazizit është kthyer në një test mikrokozmik për perceptimin kombëtar kundrejt momentit revolucionar dhe pasojave të tij. Dhe derisa nuk ka konsensus përfundimtar se çfarë ngjau saktësisht atë të premte profetike në Sidi Bouzid, interpretimet e ndryshme në kalkulim vazhdojnë prej atëherë të shpalosin se si sjelljet e ndryshme janë të ndara e të përziera njëherësh.

Ishte diku rreth 11:30 e paradites kur Bouazizi ia vuri vetes flakën pasi kishte lyer trupin me benzinë, duke i dhënë zjarr një kryengritjeje të madhe. Ai kishte provuar të flasë me ndonjë zyrtar të administratës vendase pasi policia ia kishte konfiskuar pemët dhe perimet që po i shiste, për shkak se nuk kishte leje. Nuk ishte hera e parë gjatë asaj jave që ishte përballur me situata të ngjashme, por normalisht e kalonte disi me ndonjë ryshfet të vogël. Por, herën e fundit kishte rezistuar të jepte ryshfet dhe atëherë një inspektore ia kishte dhënë një shuplakë.

Miti për shkollimin e Bouazizit

Shumë njerëz të afërt me Bouazizin besojnë se ia vuri vetes flakën duke menduar se do t’i kërcënonte zyrtarët, por nuk e kishte kuptuar se benzina do t’ia merrte jetën. Të tjerët thonë se e kishte bërë me qëllim, nxitur nga padrejtësia e madhe dhe poshtërimi që kishte përjetuar në duar të autoriteteve vendase. Personi i vetëm që e di më së miri më nuk është në mesin tonë; ai vdiq nga flakët në spital tetëmbëdhjetë ditë më vonë. Dhe kështu, pavarësisht fakteve, Bouazizi u transformua në një makinë për spektrin e gjerë të domosdoshmërisë për të dhënë llogari – pavarësisht nëse qytetarët ishin pro apo kundër revolucionit të pastajmë.

Në një version të historisë së jetës së Bouazizit, e preferuar prej atyre që i dhanë shtytje revolucionit, pemëshitësi, i cili kishte braktisur shkollën si tinejxher, ishte kthyer në një të ri të papunë.

Chavki Ghanmi, reporter vendas për agjencinë kombëtare të lajmeve TAP, tregon që i ishte thënë se Bouazizi kishte ndjekur edhe studimet universitare. Të tjerët ndjekin qasjen që ka për qëllim hesapet politike.

Halim Meddeb, aktivist në Partinë Demokratike Progresive në kohën e sundimit të Ben Aliut, ka thënë se Bouazizi nuk kishte ndjekur studimet universitare. Megjithatë, edhe ai mendon atë për të cilën kishte raportuar shtypi kur kishte pyetur nëse ishte mitizuar shkollimi i të vetëflijuarit: “Na duhej që bota të ishte në anën tonë”. Revolucionarët pretendonin se rrëfimi për tregtarin me studime universitare, të keqtrajtuar nga autoritetet dhe të shtyrë deri në vetëflijim, do të gjeneronte simpati më të madhe në mesin e mbështetësve anembanë botës.

Shuplaka në shërbim të revolucionit

Në kaosin e pastajmë u hap një hetim për vdekjen e Bouazizit, megjithëse asnjëherë nuk u bë publike ndonjë e dhënë bindëse lidhur me rrethanat. Madje, thuhet as familjes së tij nuk i janë bërë të ditura përfundimet. Pastaj, në prillin e vitit 2011, tre muaj pas ikjes së Ben Aliut, gjykata e shpalli të pafajshme edhe inspektoren Fedya Hamdi për shuplakën Bouazizit. Në verdikt thuhej se vendimi ishte marrë për shkak të mungesës së dëshmive.

Dhe kur një histori kthehet në mit faktet nuk është se bëjnë shumë punë edhe atëherë kur ato paraqesin zhvillimet. “Fedya Hamdi i ra shuplakë! Ata që thonë se ajo nuk i ra shuplakë janë kundër revolucionit!”, thekson Hichem Latif, 34 vjeç, pronar i një dyqani me ushqim deti në Sidi Bouzid.

Megjithëse historia e pemëshitësit ka marrë dheun, në terren nuk është se ka ndryshuar për të mirë gjendja dhe kushtet e jetës së përditshme të qytetarëve të Tunizisë. Elitat politike aktuale kanë dështuar në luftën kundër korrupsionit, papunësisë dhe pabarazisë rajonale.

Sot, sheshi qendror i Sidi Bouazidit manifeston njëfarë plogështie si dhe një revoltë të vazhdueshme. Një tezgë e gurtë për shitje perimesh është ngritur për nder të tij, e që tani është mbushur me slogane politike në formë grafitesh. Prapa ndodhet një portë metalike, e mbyllur, me fjalët: “Muzeu i Revolucionit”. Projekti ishte lansuar në vitin 2015, por asgjë nuk është ndërtuar. Djathtas, një ndërtesë katërkatëshe e postës është mbuluar me imazhin grafik të Bouazizit.

Image
                                                                                                  Foto: Reuters

Mbiemër mallkimi

“A po ju pëlqen tezga”?” – pyet një kalimtar. “Mua nuk më pëlqen”, thekson ai. “Gjërat nuk po shkojnë fare mirë. Pa varfri s’ka punë! Çfarë mund të blini me dhjetë dinarë në pazar. I shpenzoni 40 dinarë! Nuk merrni asgjë!”

Zied Bouazizi, kushëri i parë i Bouazizit, ka thënë se mbiemri i tij është njëfarë “mallkimi”. Kur policia ia kontrollon letërnjoftimin, ia kthejnë dhimbjen. “Ata po tallen, por është e dhimbshme kur thonë ‘familja Bouazizi e shkërdheu vendin’ – dhe ata janë me fat, ata faktikisht kanë vende pune!”

Hedi Latifi, një 32-vjeçar dhe mik i Bouazizit, i njeh dy persona që vdiqën nga vetëdjegia: Bouazizi dhe një mik tjetër i cili e dogji veten për shkak të vështirësive financiare dhe një afere dashurie.

Në të dyja rastet, Latifi ka thënë se ishin rrethanat personale ato që i nxitën “t’i kërcënonin në zemërim dhe kështu ndodhi”. Megjithatë, në rastin e Bouazizit, Latifi beson gjithashtu se akti, në fund të fundit, kishte qëllim politik. Bouazizi ishte dikush që “i tha jo sistemit” dhe për këtë Latifi krenohet me të.