Botë

Diagnostikimi i Macronit me COVID-19 nxit nguti për testim mes liderëve evropianë

Descriptive Text

Liderë të shumtë të BE-së janë alarmuar pasi që Macroni, 42-vjeçar, kishte marrë pjesë në të gjitha, pos dy, takimet e 27 liderëve të BE-së në Bruksel, gjatë fundit të javës së shkuar. Një zyrtar i Pallatit Presidencial në Paris ka bërë të ditur se, bazuar në kohën e shfaqjes së simptomave, është pothuajse e sigurt se Macroni është infektuar gjatë samitit

Infektimi me koronavirus i presidentit, Emmanuel Macron, ka shtrënguar të enjten liderët evropianë që t’u nënshtrohen një pas një testimeve për COVID-19, shkaku i takimeve që lideri francez ka pasur me krerët e shumtë të qeverive të Bashkimit Evropian gjatë ditëve të fundit.

Presidenca franceze ka njoftuar se 42-vjeçari Macroni është duke i drejtuar çështjet shtetërore nga distanca, pasi që është vënë në karantinë përbrenda Pallatit Elysee.

Një zyrtar i pallatit presidencial ka bërë të ditur se Macroni po ndihet i lodhur dhe ka kollë, ndërsa ka shtuar se nuk përjashtohet mundësia që ai të transferohet në një godinë presidenciale afër Pallatit të Versailles, për të pushuar.

Disa orë pas konfirmimit të diagnozës, Macroni ka mbajtur një videokonferencë lidhur me politikat franceze të ndihmës, duke u paraqitur me maskë mbrojtëse.

Bashkëshortja e tij Brigitte ka rezultuar negative në testin për COVID-19, por, megjithëkëtë, ka hyrë në vetizolim.

“Diagnostikimi është bërë me anë të testit PCR, të kryer menjëherë pas shfaqjes së simptomave të para”, ka njoftuar Zyra e Macronit, duke refuzuar që të japë hollësi të tjera lidhur me gjendjen apo simptomat e tij.

Macron ka pezulluar të gjitha udhëtimet e planifikuara, përfshirë vizitën e parashikuar më 22 dhjetor në Liban, ku do t’u printe përpjekjeve ndërkombëtare për zgjidhjen e krizës së thellë politike të vendit.

Infektimi i Macronit ka nxitur një numër të madh liderësh që t’i nënshtrohen testimit. Kjo, pasi që Macroni ka marrë pjesë në të gjitha, pos dy, takimet e 27 liderëve të BE-së në Bruksel, gjatë fundit të javës së shkuar, për të diskutuar rreth ndryshimeve klimatike, buxhetit të bllokut dhe çështjes së Turqisë. Një zyrtar i Elysees ka bërë të ditur se bazuar në kohën e shfaqjes së simptomave është pothuajse e sigurt se Macroni është infektuar gjatë samitit.

Vala e testimeve

Macroni, kancelarja gjermane Angela Merkel, kryeministri italian Giuseppe Conte dhe liderë të tjerë ishin parë fillimisht tek bashkëbisedonin në sallën e samitit, duke i bartur maskat mbrojtëse. Zyrtarët gjermanë kanë bërë të ditur se Merkeli ka bartur maskë në samit dhe se u është përmbajtur masave anti-COVID-19.

Qeveria në Berlin ka njoftuar se Merkeli ka rezultuar pozitive në testin për koronavirus, të kryer pas samitit të BE-së. Pas këtij takimi, Macroni ka pasur gjatë së hënës një darkë pune me kryetarin e Këshillit Evropian, Charles Michel, kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez, dhe me shefin e OECD-së, 70-vjeçarin Angel Gurria. E gjatë së mërkurës ka mbajtur bisedime edhe me kryeministrin portugez, Antonio Costa.

Spanjolli Sanchez ka rezultuar negativ për COVID-19, por i ka pezulluar të gjitha aktivitetet publike dhe ka njoftuar se do të izolohet deri më 24 dhjetor. Edhe kryeministri irlandez, Michael Martin, i cili u testua si masë preventive, ka rezultuar negativ për sëmundjen.

Në fillim të pandemisë, Macroni ka zbatuar menjëherë përshëndetjen e stilit “namaste” (sipas mënyrës japoneze të shtrëngimit të grushteve të duarve dhe përkuljes së lehtë përpara), por kohëve të fundit ka përzgjedhur përshëndetjet me prekje që bien ndesh me masat e distancës fizike.

Në pamjet e publikuara nga agjencitë më të mëdha botërore të lajmeve, si Reuters dhe Associated Press, Macroni është kapur tek përshëndetet me anë të bërrylave me disa nga liderët e BE-së në Bruksel, porse aty shihet më vonë teksa i prek bashkëbiseduesit e tij.

E për më tepër, ai ishte parë edhe tek e përshëndet me shtrëngim duarsh udhëheqësin e OECD-së, Gurria, duke e vënë potencialisht në rrezik 70-vjeçarin.

Zyra e tij ka pranuar se Macroni kishte bërë një gabim “të pafat”, kur ia kishte shtrënguar dorën Gurrias.

“Është gabim që e bëri këtë gjest, nuk mund të mohojmë”, ka thënë një zyrtar, duke shtuar se presidenti megjithëkëtë vazhdimisht i ka larë duart dhe u ka kërkuar edhe mysafirëve të tjerë që ta bëjnë të njëjtën gjë.

Vaksinimi për Evropën mund të nisë më 27 dhjetor

Lajmi për infektimin e tij është konfirmuar në ditën kur është bërë e ditur se vendet e BE-së mund të fillojnë vaksinimin e qytetarëve kundër COVID-19 gjatë 10 ditëve të ardhshme, teksa blloku po mundohet që të vihet në hap me Britaninë e Madhe dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas kritikave për vonesë në aprovimin e vaksinave.

Data e fillimit të vaksinimit – e konfirmuar për 27 dhjetor nga kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Austria, Gjermania dhe Italia – është pothuajse tri javë pas fillimit të parë të gjithmbarshëm të këtij procesi në Angli.

“Në Gjermani do të fillojmë, në rast se aprovimi shkon sipas planit, qysh më 27 dhjetor. Vendet e tjera të BE-së duan që të jenë në gjendje që ta fillojnë procesin, dhe atë më 27 dhjetor”, ka thënë ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, para takimit online me kancelaren Angela Merkel dhe me shefat ekzekutivë të zhvilluesit të vaksinës ”BioNTech”.

Një zyrtar i lartë i BE-së ka bërë të ditur, të mërkurën, se blloku do t’ia japë aprovimin përfundimtar vaksinës së partnerëve “Pfizer”-“BioNTech” më 23 dhjetor.

Britania e Madhe është bërë vendi i parë perëndimor që ka aprovuar këtë vaksinë, dhe deri më tani me të janë injektuar rreth 140.000 qytetarë.