Botë

Evropa Lindore po i humb emigrantët

Evropianolindorët po kthehen në shtëpitë e tyre me të madhe. Por, çfarë do të thotë kjo për ekonomitë e Evropës Lindore dhe për Bashkimin Evropian, në veçanti

Svilengradi është një qyteti i vogël bullgar me rreth 18 mijë banorë, buzë kufirit me Turqinë. Njihet më së shumti për dy fusha tejet profitabile: kazinotë dhe doganat. Dhe, sikurse shumë qytete të tjera të vogla në Evropën Qendrore dhe atë Lindore, ka humbur gjatë dekadave të fundit shumë prej banorëve të saj shkaku i emigrimit.

Megjithëkëtë, këtë pranverë ndodhi diçka krejtësisht e papritur: një lulëzim i popullatës.

“Ata po kthehen nga kudo, kryesisht nga Evropa Perëndimore”, ka thënë Anastas Karchev, kryebashkiak i Svilengradit, duke folur nëpërmjet telefonit gjatë nëntorit.

Nuk është se Svilengradi është shndërruar në Las Vegas brenda natës, duke joshur me mijëra britanikë apo francezë. Përkundrazi, qyteti është tani vetëm një prej shumë të tillëve të prekur nga migrimi i kohës së pandemisë COVID-19, i cili ka gjeneruar një cunami të qetë që ka mbërthyer pjesën lindore të kontinentit evropian bashkë me koronavirusin.

Ky trend u bë i dukshëm fillimisht në fund të marsit. Asokohe, një zyrtar bullgar i përfshirë në përgjigjen ndaj pandemisë kishte njoftuar se me dhjetëra e mijëra bullgarë tanimë janë kthyer dhe atë vetëm brenda një muaji. Deri në fillim të verës, qindra e mijëra ukrainas ishin kthyer në shtëpi. Valë të ngjashme kishin mbërthyer edhe pjesën tjetër të rajonit.

Rikthimi masiv

Për ta fituar përshtypjen e plotë rreth shkallës së të kthyerve, një ekip i zyrës për Marrëdhënie me Jashtë i Këshillit Evropian në Sofje të Bullgarisë ka rishikuar të dhënat e dala nga ky shtet mes muajve mars dhe maj të këtij viti, në kohën e izolimit të parë të vendit shkaku i pandemisë. Të dhënat e Qeverisë kanë treguar se gjatë kësaj periudhe, rreth 550.000 qytetarë bullgarë janë kthyer në vend. Nga shifra totale, regjistrat e hollësishëm janë të disponueshëm prej 150.000 sosh. Duke i përjashtuar kalimet nëpërmjet kufirit me Greqinë, i cili është shtegu kryesor tregtar dhe i turizmit, numri i rasteve të studiuara është ngushtuar në 121.000.

Image

Të gjitha të dhënat – sidomos ato mbi masat e karantinës – kanë treguar bukur qartë pse Svilengradi dhe qytetet e tjera sikurse puna e saj kanë nisur të stërngarkohen. Në shumë vende, të kthyerit e karantinuar janë përafërsisht barabar sa 4 deri në 8 për qind e popullatës së aftë për punë. Duke pasur parasysh se vetëm gjysma e popullatës që është kthyer në vend i është nënshtruar masës së karantinimit, dhe se të dhënat nga marsi janë të mangëta, atëherë del se numri real është padyshim shumë më i lartë.

Nëpërmjet intervistave në rrjete sociale me të kthyerit e qasshëm, ekipi ka arritur të konstatojë deri më tani se arsyeja më e spikatur e kthimit ishte “dëshira për të qenë bashkë me familjen dhe të afërmit” – gjë kjo e kuptueshme marrë parasysh gjendjen e frikshme në gjithë botën.

Arsyeja e dytë më e shpeshtë ishte “humbja e vendit të punës”.

Të pyetur nëse e kanë ndërmend që të rikthehet ndonjëherë në Evropën Perëndimore, mbi 10 për qind e të anketuarve janë përgjigjur me “jo”. Rreth 16 për qind kanë thënë të jenë të pavendosur. Në mesin e atyre që kanë jetuar jashtë vendit për më shumë se një vit, përqindja sillej rreth 19 e atyre që thoshin “jo” dhe 47 e atyre që u deklaruan si të pavendosur.

Trend botëror

Përreth botës, kthimi i mërgatës ka lulëzuar: Më shumë se 2.1 milionë indianë, 600.000 afganë dhe shumë të tjerë – sidomos punëtorë emigrantë – janë kthyer në vendet e tyre të prejardhjes gjatë kohës së pandemisë, kanë treguar të dhënat e Organizatës Ndërkombëtare për Migrim. Në shumë rrethana, ky efekt do të zhbëhet brenda një apo dy vjetësh; meqë pas rimëkëmbjes së shëndetit dhe ekonomisë globale, emigrantët do të kthejnë sërish sytë kah vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim. Por, tri janë gjërat që kanë ndikim në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

E para, në Evropën Lindore ky trend ka kohë që është krijuar. Rajoni është njëri prej më të goditurve në botë në aspektin e rënies së popullatës dhe emigrimit. Në fakt, është ky i vetmi rajon që ka shënuar tkurrje të popullatës gjatë tri dekadave të njëpasnjëshme. Në shumë aspekte, kjo ka ndodhur si rrjedhojë e ujdisë me BE-në rreth migrimit.

Image

Ikja e trurit ka krijuar ndasi edhe më të thella përbrenda vetë BE-së. Kjo gjë ka përballur ekonomitë lindore me vështirësi për të gjetur fuqi të mjaftueshme punëtore në kohën e nevojës për t’i mbërritur shtetet e tjera më të kamura perëndimore dhe për t’i mbajtur talentet përbrenda kufijve. Si pasojë, disa rajone pak a shumë janë boshatisur, duke gjeneruar një spektër të tërë të telasheve shoqërore dhe politike.

Megjithëkëtë, falë ngritjes së standardeve jetësore në lindje gjatë disa vjetëve të fundit, si dhe fillimit të sheshimit të pabarazisë midis lindjes dhe perëndimit, përherë e më shumë qytetarë kanë vendosur që të kthehen në shtëpitë e tyre. Të dhënat në internet të mërgimit në BE, para kohës së pandemisë, vështirë se mund të gjenden, por prapëseprapë në nëntë nga 11 shtetet anëtare ish-komuniste, shkalla neto e mërgimit ka rënë që nga viti 2010. Migrimi në Mbretërinë e Bashkuar – një magnet ky për evropianët nga Lindja – ka rënë gjashtëfish më 2017, krahasuar me vitet paraprake.

Së dyti, ekonomitë në Evropën Lindore mund të jenë në gjendje të absorbojnë të paktën një hise të dallgës së re. Për dallim prej ekonomive stagnuese gjetkë në Amerikën Latine, për shembull, shumë prej vendeve të Evropës Qendrore dhe asaj Lindore kanë shënuar rritje të përnjëhershme.

Ndryshe nga Azia, ku ngopja me fuqinë punëtore po i mban pagat në nivel të ulët dhe po i mban larg emigrantët, problemi kryesor i para pandemisë midis bizneseve në Evropën Lindore është mungesa e punës, e cila si rrjedhojë ka rritur pagat. Duke i pasur parasysh trendët me shkurtimin e zinxhirëve të furnizimit, ku përherë e më shumë mallra të shitura në BE sipas të gjitha gjasave do të prodhohen apo mblidhen në Evropë, fluksi i punëtorëve do të jetë më se i mirëseardhur.

Mobiliteti zëvendëson migrimin

E fundja, por jo më pak e rëndësishmja është roli që e luan anëtarësimi në BE. Asnjë rajon tjetër i punës nuk është kaq i lidhur me rajonet që ofrojnë kapacitete pune sa Evropa Lindore me Evropën Perëndimore. Lëvizja përbrenda BE-së është relativisht e lirë dhe e papenguar, gjë kjo që është faktor pse njerëzit e planifikojnë të ardhmen e tyre të afërt dhe vendosin nëse ia vlen të qëndrojnë apo të largohen, qoftë për kohë të shkurtër.

Migrimi është zëvendësuar nga mobiliteti, duke e bërë Bashkimin Evropian që të funksionojë përherë e më shumë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në këtë aspekt. Kjo do të thotë se qytetet në lindje më nuk janë viktima, por aktorë aktivë në betejën për talentet si dhe për punëtorët e kualifikuar.

Image

Pyetja që shtrohet tani për politikëbërësit është se si ta trajtojnë fluksin e befasishëm të njerëzve. Tani, autoritetet lokale dhe ato kombëtare mund të përqendrohen sërish nga politikat afatgjata në masa afatshkurtra, në përpjekjen për ta penguar ikjen e sërishme të kapitalit njerëzor.

Në këtë aspekt, ide të shumta mund të huazohen nga SHBA-ja dhe vendet e tjera që kanë historik të gjatë në joshjen e talenteve. Qasja e lehtë në huat me normë të ulët apo pa interes; subvencionet e drejtpërdrejta dhe lehtësime tatimore për njerëzit me interesim të dëshmuar për të qëndruar për periudha më të gjata; dhe ndihma administrative për gjetjen e vendeve të jetesës, shkolla dhe kopshte për fëmijë janë çelësi. Të këtilla përpjekje nuk kërkojnë injektime financiare.

Në Svilengrad, Karchevi thotë se nuk e di se sa nga të rikthyerit e rinj do të mbesin. Megjithëkëtë, ai e di se “pagat kanë prekur qiellin viteve të fundit në kompanitë tona lokale, dhe njerëzit më thonë se tani është njëjtë këtu sikur të jetosh në Spanjë”.

U deshtë një pandemi për ta kuptuar këtë gjë, por efektet pozitive për rajonin mund të zgjasin për gjenerata me radhë.