Botë

MacKenzie Scott dhuron katër miliardë dollarë për ndihma

MacKenzie Soctt, ish-bashkëshortja e themeluesit të “Amazonit” Jeff Bezos, ka dhuruar katër miliardë dollarë në fondet emergjente për ushqim dhe ndihma në katër muaj.

Në një postim në një blog, ajo ka thënë se dëshironte t’u ndihmonte amerikanëve që po ngecnin për shkak të pandemisë.

Scott është personi i 18-të më i pasur në botë, pasi pasuria e saj u rrit për 23.6 miliardë dollarë sivjet, për të arritur një total prej 60.7 miliardë dollarësh.

Shumica e pasurisë vjen nga Bezosi që është personi më i pasur në botë.

“Pandemia ka qenë një goditje për jetët e amerikanëve që tashmë kishin telashe”, ka shkruar ajo të martën, duke shtuar se kishte zgjedhur më shumë se 380 organizata për të dhuruar ndihma. “Humbjet ekonomike dhe telashet shëndetësore kanë qenë më të rënda për gratë, njerëzit me ngjyrë dhe ata që jetojnë në varfëri. Ndërkohë, është rritur dukshëm pasuria e miliarderëve”.

Scott kishte dhuruar 1.7 miliardë dollarë për 116 organizata humanitare në korrik duke thënë se donte të zgjonte vëmendjen për “ndryshime”. Kjo e çon shifrën e dhurimeve nga ajo në gati gjashtë miliardë dollarë sivjet.

Sivjet edhe Bezos ka qenë aktiv në filantropi duke dhuruar rreth dhjetë miliardë dollarë lidhur me çështjet për ndryshime klimatike. Edhe themeluesi i Twitterit, Jack Dorsey, njoftoi në prill se do të dhuronte një miliard dollarë për të ndihmuar luftën ndaj koronavirusit. Bill Gates dhe bashkëshortja e tij Melinda kanë dhuruar 300 milionë dollarë për zhvillimin e vaksinave, trajtimeve e diagnostikimeve të ndryshme.