Botë

Suedia është “në gjunjë”, eksperimenti i imunitetit të masës bie në ujë

Numri i të prekurve me koronavirus në Suedi për kokë banori tash është për gjysmë më i madh se në Britani të Madhe, Gjermani e Spanjë.

Suedia, që në fillim të pandemisë u bë e njohur për mosmarrjen e masave konkrete për parandalimin e COVID-19, duke insistuar në imunitetin e masës, tash duket se është në gjunjë.

Sistemi shëndetësor ka kaluar të gjitha limitet, më nuk po përballon fluksin, raportojnë mediat e huaja.

Ka dyfish më shumë të vdekur për kokë banorë sesa fqinjët nordikë.

Deri më tash, ky vend ka raportuar për 278.912 raste pozitive. Vetëm muajin e kaluar janë raportuar mbi 1000 raste të vdekjes si pasojë e COVID-19. Në total, numri i të vdekurve ka kaluar shifrën 7.000.

Norvegjia, që ka marrë masat qysh më 12 mars, deri më tash ja shënuar 259 raste të vdekjeve si pasojë e COVID-19.

Qeveria e Suedisë në fund është dashur të marrë masa, të cilat në fillim ishin të pabesueshme. Dhe ndër masat janë kufizimi i tubimeve deri në tetë persona, është ndaluar shitja e alkoolit pas orës 22:00, derisa shkollat e mesme po vazhdojnë procesin mësimor online.

Po ashtu, janë rritur kritikat mbi epidemiologun kryesor të vendit, Andersa Tegnel, që ka aplikuar “një luftë të butë” ndaj COVID-19.

Suedia ka përqindje të vdekjeve për kokë banori më të madhe se cilido vend i Evropës Perëndimore.

Në këtë vend janë shënuar 346 vdekje për 100.000 banorë, derisa në Britani 151 e në Spanjë 121.

Kryeministri i vendit, Stefan Lofven, të martën, tha se festa e Krishtlindjes sivjet nuk do të jetë si më parë.

“Normalitet i ri”, tha ai, kur ua kumtoi suedezëve se do ta kenë të pamundur të mblidhen për Krishtlindje.