Botë

Bideni premton 100 milionë vaksina anti-COVID në 100 ditë e para

Descriptive Text

Presidenti i zgjedhur Joe Biden prezantoi të martën mbrëma ekipin që do të udhëheqë administratën e tij në përballje me pandeminë ndaj koronavirusit, duke theksuar synimin e tij për të shpërndarë 100 milionë vaksina në 100 ditët e para në detyrë.

Bideni tha se ai do të ketë nevojë që Kongresi të financojë plotësisht shpërndarjen e vaksinave në çdo cep të Shteteve të Bashkuara. Rikthimi i fëmijëve në shkollë do të jetë një përparësi kombëtare në 100 ditët e para, tha Bideni në një konferencë shtypi në Uilmington të shtetit Delauer.

"Në 100 ditë ne mund të ndryshojmë rrjedhën e sëmundjes dhe të ndryshojmë për mirë jetën në Amerikë", tha Bideni. "Cilado qoftë politika ose pikëpamja juaj, përdorni maskën për 100 ditë."

Koronavirusi ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 283.000 amerikanëve dhe ka shkaktuar humbjen e miliona vendeve pune.

Vaksinat efektive do të ndihmonin administratën e Bidenit që të kthente fokusin te rimëkëmbja e ekonomisë së dëmtuar amerikane. Të martën pati më shumë lajme pozitive nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Ilaçeve, dokumentet e së cilës tregojnë se ky ent rregullator nuk ka ngritur ndonjë çështje (ose shqetësim të ri) të re në lidhje me sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës së kompanisë Pfizer.

"100 ditët e mia të para nuk do t’i japin fund virusit COVID-19. Unë nuk mund ta premtoj këtë", tha Biden, i cili do të marrë detyrën e Presidentit më 20 janar. "Do të duhet pak kohë (për tejkalimin e pandemisë)", shtoi ai.

Bideni prezantoi Prokurorin e Përgjithshëm të Kalifornisë Xavier Becerra, një ish-ligjvënës nga komuniteti latin, si të emëruarin e tij për postin e Sekretarit të Departamentit të Shëndetësisë.

Becerra ka një histori të gjatë të mbështetjes së Ligjit të Kujdesit të Përballueshëm Shëndetësor, i njohur si Obamacare. Zoti Biden zgjodhi Dr. Rochelle Walensky, shefe e departamentit të sëmundjeve infektive në Spitalin e Përgjithshëm të Masaçusetsit në Boston, për të drejtuar Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Dr. Anthony Fauci, drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjive dhe Sëmundjeve Infektive, u emërua si këshilltari kryesor mjekësor i Bidenit për koronavirusin dhe Dr. Vivek Murthy në postin e drejtuesit të lartë të administratës për shëndetin,të njëjtin rol që ai pati në administratën e Presidentit Obama. \ Voa