Botë

Fushata e Bidenit shpenzoi nga 13 dollarë për çdo votues

Fushata e sivjetme presidenciale e të parit të zgjedhur të Shtëpisë së Bardhë në SHBA, Joe Biden, ka shpenzuar nga 13 dollarë për çdo votues, pavarësisht përllogaritjeve se shpenzimet e demokratëve do t’ua kalonin theksueshëm kandidatëve të tjerë.

Fushata e Bidenit ka shpenzuar 1.063.053.521 dollarë amerikanë nga 1 prilli deri më 23 nëntor 2020, kanë treguar të dhënat e raportit financiar pas zgjedhjeve, të dorëzuar në autoritetet përgjegjëse për monitorimin e fushatës financiare të presidencialeve, ka shkruar revista amerikane “Newsweek”. Bideni e kishte shpallur edhe zyrtarisht kandidaturën më 25 prill.

Sipas kësaj llogaritjeje, i bie se pak më shumë se trembëdhjetë dollarë janë shpenzuar për çdo votë që ka siguruar Bideni, kandidat ky që i fitoi presidencialet me 81.271,129 vota. Kjo është një shumë e ngjashme me shpenzimet e kandidatëve të mëparshëm amerikanë për president në ciklet e fundit, shkruan revista amerikane.

Fushata e Bidenit bëhet e para në historinë amerikane që ka ngritur më shumë se një miliard dollarë amerikanë nga donatorët. Përpjekja e dështuar e ish-kryetarit njujorkez, Michael Bloomberg, për të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë, kapi vlerën e më shumë se një miliard dollarëve, por ishte vetëfinancuar.

Në përgjithësi, në shumën totale të shpenzuar nga fushata fituese përfshihen edhe kontributet individuale, kontributet e konventës partiake dhe kontributet nga komitetet e tjera.

Në anën tjetër, fushata e presidentit Donald Trump ka shpenzuar 718.174.436 dollarë amerikanë nga 1 janari 2019 deri më 23 nëntor 2020, tregojnë të dhënat e dorëzuara në autoritetet përkatëse të procesit zgjedhor amerikan. Presidenti Trump fitoi 74.209.290 vota. Sipas kësaj llogaritjeje, i bie se presidenti ka shpenzuar nga 9.70 dollarë për votë. Trumpi kishte shpenzuar më pak se shtatë dollarë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, të cilat i fitoi me 62.984.828 vota.

Sipas disa përllogaritjeve sugjerohej se Bideni do të mund të shpenzonte deri në tetëmbëdhjetë dollarë për çdo votë – shumë kjo rekorde që do të mund të kalonte shumat e shpenzuara nga kandidatët paraprakë. Sidoqoftë, margjina e tij e madhe e votës popullore nënkupton se shpenzimi i fushatës së tij pati një kosto efikase.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, kishte shpenzuar më pak se 12 dollarë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, përderisa ish-presidenti Barack Obama kishte shpenzuar 11 dollarë për një votë më 2012 dhe pothuajse po aq në vitin 2008.

Fushatat vazhduan të mblidhnin fonde pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, që është pjesë e operacionit normal të fushatave presidenciale derisa mundohen të mbulojnë shpenzimet.

Qendra për Politikë Përgjegjëse, organizatë bamirëse që menaxhon uebfaqen për financimin e fushatave, “OpenSecrets.org” , kalkulon se Bideni kishte krijuar një rrjet prej 107 milionë dollarësh nga 15 tetori deri më 23 nëntor.

Fushata e Trumpit mblodhi 178 milionë dollarë për të njëjtën periudhë kohore. Fushata e presidentit dërgoi më shumë se 400 letra elektronike duke kërkuar kontribute prej ditës së zgjedhjeve, në shumicën prej të cilave duke kërkuar ndihmë në emër të luftës për ligj pas ngritjes së dyshimeve të pabazuara për mashtrim dhe manipulim të zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Zgjedhjet e sivjetme ishin më të kushtueshmet në histori, sikurse edhe ishte pritur. “OpenSecrets.or” ka llogaritur se ato mund të kenë kushtuar deri në 14 miliardë dollarë. Shifra përfshin të gjitha fushatat. Dhe të dhënat e fushatës së Bidenit tregojnë se fushatat e ardhshme do të kushtojnë edhe më shumë.