Botë

Kryeministri armen anashkalon thirrjet për dorëheqje

Demonstruesit e opozitës kanë bllokuar rrugët e kryeqytetit armen duke nisur kështu fushatën protestuese kundër kryeministrit, Nikoll Pashinian, i cili i anashkaloi thirrjet për dorëheqje pas marrëveshjes së armëpushimit me Azerbajxhanin.

Qindra protestues kanë brohoritur në rrugët e Jerevanit, “Nikoll tradhtari” dhe “Armenia pa Nikollën”, duke iu përgjigjur thirrjes së opozitës për të protestuar pas mbarimit të ultimatumit që kryeministri të jepte dorëheqje deri të martën në mesditë.

Pashinian, i cili erdhi në pushtet me revolucionin paqësor të vitit 2018, e pranoi muajin e kaluar marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Rusia për t’i dhënë fund konfliktit të përgjakshëm ndërmjet Azerbajxhanit dhe forcave të armenëve etnikë lidhur me enklavën e Nagorno-Karabahut dhe zonave përreth.

Kundërshtarët kërkojnë largimin e kryeministrit për shkak të akuzave se ai menaxhoi në mënyrë të tmerrshme konfliktin gjashtëjavor të shtatorit dhe tetorit në rajonin separatist, që ishte nën kontroll të armenëve etnikë prej vitit 1994. Pashnian akuzohet gjithashtu se rrezikoi sigurinë dhe stabilitetin e ish-Republikës Sovjetike me tre milionë banorë.