Botë

Diplomatët amerikanë t’i ngjajnë Amerikës

Descriptive Text

Paragjykimet se Departamenti amerikan i Shtetit është mbushur me “shokë, burra dhe njerëz të Yalet” kanë dominuar edhe në mesin e administratave demokrate dhe republikane. Edhe në kohën kur Shtetet e Bashkuara po diversifikohen përherë e më shumë, Departamenti i Shtetit vazhdon të ngelë prapa kohës. Ndërmjet viteve 2002 dhe 2018, proporcioni i stafit që identifikohet si pakica etnike ose racore është ngritur për katër për qind, apo larg më e ulët si përqindje krahasuar me mesataren e fuqisë punëtore në shkallë federale. Dhe aktualisht ka shënuar rënie numri i afro-amerikanëve.

Emërime të kontestuara

Kur presidenti i zgjedhur, Joe Biden, dhe zëvendësja e tij, Kamala Harris, të marrin drejtimin e Shtëpisë së Bardhë – dhe kur të konfirmohet sekretari i Shtetit – do të trashëgojnë një Departament dhe Shërbim të Jashtëm që është demoralizuar dhe rraskapitur gjatë qeverisjes së administratës së Donald Trumpit. Për ta rindërtuar – dhe për t’iu dhënë shtytje vlerave dhe lidershipit amerikan jashtë vendit – duhet ta kthejnë diversitetin në prioritet sidomos brenda Departamentit të Shtetit dhe Shërbimit të Jashtëm.

Mungesa e diversitetit në Departamentin e Shtetit i ka rrënjët para kohës së Trumpit – megjithëse katër vjetët e kaluar nuk është se kanë ndihmuar për të mirë. Në tetor Departamenti konfirmoi se kishte suspenduar katër punëtorë që po merreshin me trajnime për diversitetin dhe gjithëpërfshirjen. Prej 189 ambasadorëve që shërbejnë sot anembanë botës, vetëm katër sosh janë me zyrtarë karrierë diplomacie me prejardhje afro-amerikane dhe vetëm katër sosh janë hispanikë.

Dhe Trumpi ka bërë një mori emërimesh fort të kontestuara ambasadorësh në vende të rëndësishme – si në rastin e disenjatorit të çantave të dorës, me prejardhje jug-afrikane, duke e vendosur në krye të Ambasadës Amerikane në Afrikën Jugore.

Paragjykimet racore

Gjërat nuk po shkojnë mirë as në hierarkinë më të ulët. Stafi nga pakica etnike dhe racore përbën 29 për qind, por që ka më pak gjasë për promovim brenda Departamentit të Shtetit, krahasuar me kolegët e bardhë, ka treguar studimi i Zyrës për llogaridhënie qeveritare në fillim të vitit. Dhe historitë e mjedisit armiqësor të punës gëlojnë gjithandej. Zyrtarë me ngjyrë të shërbimit të jashtëm kanë treguar se si janë ngacmuar nëpër konsullatat e Meksikës veriore prej zyrtarëve të Patrullës Kufitare, pavarësisht se kishin kredencialet e Departamentit të Shtetit. Të tjerët raportohen se përballen me komente raciste nga kolegët, dhe nëse ankohen tek eprorët, atëherë u bëhet thirrje që t’i edukojnë ata. Andaj nuk është e habitshme që gjatë administratës së Trumpit aplikacione për Shërbim të Jashtëm kanë shënuar rënien më të madhe për më shumë se një dekadë.

Mungesa e diversitetit në diplomacinë amerikane “jo vetëm që minon fuqinë e shembullit të Shteteve të Bashkuara, por edhe ngufat potencialin e diplomacisë së vendit”, nëse u referohemi fjalëve të ish-zëvendëssekretarit të Shtetit, Bill Burns, dhe ish-ndihmëssekretares së Shtetit për Çështje Afrikane, Linda Thomas-Greenfield, që tani është e nominuar e Bidenit për të shërbyer si ambasadore amerikane në Kombet e Bashkuara.

Imazhi i Amerikës

Është fakt se personeli i Shërbimit të Jashtëm janë shpesh të parët – nganjëherë edhe të vetmit – amerikanë të cilët takohen sy më sy me qytetarët e vendit ku shërbejnë. Ato takime krijojnë mundësi për edukim, shkëmbim dhe njohje më të madhe ndërmjet vendeve. Kur zyrtarët e Shërbimit të Jashtëm reflektojnë diversitetin e popullsisë amerikane – dhe duken më shumë si vendasit se kasta e diplomatëve sqimatarë – ata kanë mundësi të shpjegojnë se në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht racës, fesë, rrënjëve ose prejardhje kombëtare, edhe ju mund të ktheheni në imazh të Amerikës jashtë vendit. Dhe ja se si e përmblidhte veterania e shërbimit të jashtëm, Uzra Zeya: “Reagimi i një rioshi sirian e kapi këtë rezultat të zakonshëm të shkëmbimeve të tilla: ‘Fakti se ju jeni një diplomate amerikane është arsyeja pse e dua Amerikën’”.

Kjo është arsyeja pse kongresistët në Dhomën e Përfaqësuesve e draftuan Ligjin për prezantimin e Amerikës jashtë vendit sivjet për të krijuar shtigje drejt Departamentit të Shtetit dhe për Shërbimin e Jashtëm, në vend se të fillohet prej nivelit fillestar. Krejt ideja boshtohet për krijimin e një programi që rekruton profesionistë të regjur nga grupe të papërfaqësuara, me qëllim që të mund të sjellin përvojën dhe ekspertizën e tyre prej ditës së parë të punës.

Politika kreative

Krijimi i më shumë diversitetit në radhët e sektorëve të përgjegjësisë mesatare do të ndihmonte edhe zgjerimin e kandidatëve që garojnë për emërime në ambasada amerikane dhe do të mund të ndihmonte rekrutimin e stafit me ngjyrë për mundësi trajnimi dhe mentorimi. Këto shtigje karriere do të sillnin suksese të reja me programe që do të ndihmonin me ngritje të diversitetit qysh në masat fillestare të angazhimit të diplomatëve dhe anëtarëve të rinj të Shërbimit të Jashtëm. Ligji i sivjetmë ofron fleksibilitet për Departamentin e Shtetit që të hartojë programe trajnuese për të rekrutuarit, me qëllim që të familjarizohen me detyrat e shërbimit jashtë vendit dhe në Uashington në vitet e para të punës.

Disa tradicionalistë të Departamentit të Shtetit mund të mendojnë se kjo qasja nuk ofron udhëzime të duhura, duke preferuar kështu të përqendrohen në rekrutimin e diplomatëve të karrierës dhe personelit ekzistues. Shërbimi i jashtëm duhet të mendojë anën kreative për krijimin e personelit, sidomos në mesin e njerëzve që kanë përgjegjësi mesatare dhe të larta për të përmbushur detyrat diplomatike të administratës së ardhshme Biden-Harris.

Koha për ndryshim

Autoritetet fleksibile ekzistuese për punësim do të mund të trasonin rrugën për rekrutim në Departamentin e Shtetit dhe në Shërbimin e Jashtëm që grupet e papërfaqësuara të mund të bëheshin pjesë e sistemit. Sekretari i ri i Shtetit mund të promovojë diversitetin, barazinë dhe gjithëpërfshirjen në programet trajnuese që ishin lënë anash nga administrata e Trumpit. Dhe administrata e re duhet të bëjë një vlerësim të brendshëm të vendimeve të kaluara të ngritjes për të identifikuar pengesa sistematike për avancim për grupet e nënpërfaqësuara, si dhe të bëjë reformat e nevojshme, përfshirë rivlerësime e promovime për barazi – kritere që ishin lënë pas dore së fundmi.

Bashkërisht, ligji i ri dhe reformat administrative do të ngrinin diversitetin në të gjitha nivelet e Departamentit të Shtetit dhe Shërbimit të Jashtëm brenda viteve të ardhshme, e të mos pritet dekada me radhë – sepse do të jetë në të mirë të agjencisë, punëtorëve të saj dhe të mbarë vendit.

Shpresohet se Ligji i prezantimit të Amerikës jashtë vendit do të aprovohet në Dhomën e Përfaqësuesve para fundit të vitit. Nuk do t’i zgjidhë të gjitha problemet në Departamentin e Shtetit, por kalimi i këtij ligji do të ishte hap jetik për krijimin e diversitetit, kthimin e diplomatëve të karrierës dhe fuqizimin e diplomacisë amerikane. Dhe imazhi që e paraqet Amerika jashtë vendit – përfshirë në Azi, Afrikë e Amerikën Latine – më në fund do të fillojnë të duket sikurse imazhi i vendit brenda. 

Analizë e “Foreign Policy Magazine”