Botë

Lufta e re Moskë-Uashington në Ballkan, beteja për kreun e Kishës Ortodokse

Descriptive Text

Në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit në Mal të Zi, ku pas 30 vjetësh u rrëzua nga qeverisja Milo Gjukanoviq, i cili është ende President, fituesi real i zgjedhjeve ishte kreu i Kishës Ortodokse Serbe.

Bëhet fjalë për të ndjerin Amfilohije, Metropolitin e Kishës Ortodokse serbe në Mal të Zi, i cili 40 ditë më parë humbi jetën nga Covid-19. Amfilohije ishte realisht fituesi i zgjedhjeve, pasi ndërmori personalisht një betejë politike me Gjukanoviqin, duke caktuar personalisht dhe kandidatin për kryeministër të opozitës, Zdravko Krivokapiqin, i cili është aktualisht kreu i qeverisë së Malit të Zi.

Tani, pasi u mbyllën 40 ditët e zisë, ka nisur një fushatë e ethshme për të zëvendësuar Amfilohijen, dhe kjo fushatë duket më me peshë edhe se vetë kryeministri aktual, apo njeriu që do të tentojë të bëhet President i Malit të Zi, pas dy vjetësh.

E në fushatën për Kreun e Kishës serbe, sipas mediave malazeze e serbe, që po e trajtojnë me shumë gjerësi garën e pasardhësit të Amfilohijes.

Sipas mediave serbe, gjermanët dhe amerikanët kanë hyrë në lojë për të arritur influencën e kreut të kishës serbe në Mal të Zi, në një moment që edhe vetë kreu më i madh Kishës serbe, Irinej humbi jetën po nga Covid.

Një portal serb, Saint Sava, thekson se “qarqe të huaja janë të interesuara për të shtënë në derë kishën tonë të bregdetit”. Një nga kandidatët për të zëvendësuar Amfilohijen është peshkopi Grigorije (Gjuriq) i cili ka shtetësi gjermane dhe para pak ditësh ai ka zhvilluar takime në disa ambasada perëndimore në Podgoricë.

Një tjetër kandidat është Peshkopi Joanikije (Miçoviq), i cili sipas mediave serbe, është një “njeri i amerikanëve”. “Promovimi mediatik i të cilit, së bashku me avokatët politikë të ndryshimit të qeverisë në Beograd, përfshinë lobistë të rinj nga Fakulteti i Drejtësisë në Kragujevac, të cilët përndryshe janë krenarë për patronazhin e Ambasadës Amerikane në Beograd!", shkruan Saint Sava, që e akuzon Peshkonin Joanikije se kërkon një Kishë të Pavarur të Malit të Zi.

Joanikije Miçoviç është aktualisht administratori i dioqezës malazeze-bregdetare të Kishës Ortodokse Serbe. Aktualisht Kisha Ortodokse Serbe financohet fuqishëm nga ana e Moskës dhe në çdo vizitë të rëndësishme politike, kreu i Kishës është i pari që takohet nga Putin apo Lavrov nëse viziton Beogradin. Pak ditë më parë në Beograd u përurua një monument i Car Dushanit, i cili u financua dhe u ndërtua totalisht nga Moska zyrtare. Ndaj dhe lëvizjet “elektorale” për hyrjen në lojë të lobeve Perëndimore kanë rritur tensionin/Gazeta Shqip