Botë

Një fotografi për krejt historinë: Willy Brandt bie në gjunjë në Varshavë

Para 50 vitesh kancelari gjerman Willy Brandt ra në gjunjë në Varshavë. Me këtë akt Gjermania pranoi përfundimisht fajin për barbaritë naziste – dhe kështu filloi një projekt që 20 vjet më vonë u bë realitet: bashkimi i Gjermanisë.

Para 50 viteve, më 7 dhjetor 1970, kancelari socialdemokrat gjerman Willy Brandt bëri një gjest që përjetësisht hyri në histori: gjatë vizitës në Varshavë ai ra në gjunjë para monumentit të viktimave të getos së Varshavës. Akti i Brandt-it ishte i nivelit më të lartë moral. Kancelari i Gjermanisë po kërkonte falje për krimet e shkaktuara nga regjimi barbar i Adolf Hitlerit. Këtë po e bënte një njeri, Willy Brandt-i, i cili nuk bartte kurrfarë faji për barbarinë naziste, sepse Willy Brandt-i në Luftën e Dytë Botërore ishte kundërshtar i nazistëve dhe jetoi në ekzil.

Në Varshavë ai tregoi guxim të madh. Në atdhe, në Gjermaninë perëndimore, kishte jo pak rivalë politikë (dhe të tjerë) që e akuzonin pse po hiqte dorë nga territoret dikur të populluara me gjermanë në pjesën lindore të Europës. E akuzonin pse kishte qëndruar në ekzil (thua se për një kundërshtar të Hitlerit jeta në Gjermani ishte komode). Më 1971 Komiteti i Nobelit e nderoi Brandt-in me Çmimin Nobel për Paqe.

Në Gjermani u zhvillua një debat se a ishte rënia në gjunjë e Brandt-it inskenim i planifikuar apo akt spontan. Për aq sa dihet deri më sot, ishte akt spontan. Brandt ka thënë se “buzë humnerës së historisë gjermane dhe nën barrën e miliona të vrarëve” ai kishte bërë “atë që bëjnë njerëzit, kur gjuha s’funksionon më”. Pas rënies në gjunjë dhe pas Çmimit Nobel, Brandt nisi të zbatojë politikën e tij ndaj lindjes, “Ostpolitik”, një afrim me botën lindore. Në fund kjo politikë i hapi rrugë kancelarit Helmut Kohl për arritjen historike: bashkimin e Gjermanisë.

50 vjetori i rënies në gjunjë të Willy Brandt-it në Varshavë do të ishte një moment për gjeste të tilla nga udhëheqja politike e Serbisë – për katër luftëra të shkaktuara, miliona refugjatë, gjenocid, krime lufte, dhunime e shkatërrime masive. Por Serbia e sotme e shërbëtorëve të djeshëm të diktatorit Sllobodan Millosheviq është pak e zënë: po negocion për të hyrë në BE.