Botë

OKB-ja e heq kanabisin nga lista e narkotikëve më të rrezikshëm në botë

Ky vendim pritet që të hapë rrugën për nisjen e më shumë hulumtimeve rreth potencialit mjekësor dhe terapeutik të këtij bari

Komisioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Lëndë Narkotike (CND) ka votuar për ta hequr kanabisin nga kategoria e rregulluar sertë e narkotikëve, ku ishte listuar në mesin e opoidëve vdekjeprurës të varësisë, siç është edhe heroina.

Nga 53 shtete anëtare, 27 kanë votuar për dhe 25 kundër riklasifikimit të kësaj lënde, teksa nga votimi ka abstenuar vetëm Ukraina. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane ishin në mesin e atyre që votuan për, kurse Kina, Egjipti, Nigeria, Pakistani dhe Rusia ishin në mesin e vendeve që dolën kundër vendimit.

Veprimi historik pritet të hapë rrugën për njohjen e këtij bari si potencialisht terapeutik apo mjekësor, dhe t’ua bëjë më të lehtë vendeve që të bëjnë studime të reja.

Kanabisi ishte vendosur në listën më strikte kontrolluese gjatë 59 vjetëve të fundit, duke dekurajuar të gjitha përdorimet e mundshme të tij, përfshirë edhe për qëllime mjekësore.

Zhvillimi ka ndodhur pasi që Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte rekomanduar në janar të vitit 2019 heqjen e “kanabisit dhe produkteve që dalin prej tij” nga “Lista IV” e Konventës për Lëndët Narkotike të vitit 1961.

Komiteti i OBSH-së, në rekomandimin e tij për Komisionin, ka theksuar se kanabisi mund të ketë efekte të dëmshme dhe mund të shkaktojë varësi. Por, gjithashtu, ka shtuar se kjo drogë ndihmon edhe në uljen e dhimbjeve dhe neverisë, si dhe ofron edhe lehtësim të simptomave të sëmundjeve të ndryshme, si anoreksia, epilepsia dhe disa lloje të sklerozës. Kanabisi, për dallim nga të tjerat droga, përfshirë fentanilin, heroinën dhe morfinën, nuk përmban ndonjë rrezik të konsiderueshëm për vdekje, ka bërë të ditur OBSH-ja. Përderisa anëtarët e shteteve të Komisionit fillimisht ishte supozuar që të votonin në propozimin e sesionit të marsit në vitin 2019, disa vende kishin kërkuar më shumë kohë për t’i studiuar faktet, para miratimit apo jo të propozimit të OBSH-së.

Edhe pas heqjes nga “Lista IV”, droga do të vazhdojë të mbetet në “Listën I”. Më parë ka qenë pjesë e dy listave.

“Lista I” është një listë edhe më strikte e kontrollit, pas “Listës IV”. OBSH-ja ka rekomanduar se kanabisi do të vazhdojë të jetë pjesë e kësaj liste, duke theksuar se “shkalla më e lartë e problemeve shëndetësore publike po lind nga përdorimi i kanabisit”.

Sipas ekspertëve, vota nuk do të ketë ndikim të menjëhershëm në humbjen e kontrolleve ndërkombëtare, për shkak se klasifikimi i kanabisit është ende nën juridiksionin e qeverive individuale sovrane.

Aktualisht, më shumë se 50 shtete i kanë përshtatur programet mjekësore të kanabisit, përderisa Kanadaja, Uruguai dhe 15 shtete të SHBA-së e kanë legalizuar përdorimin e tij rekreativ, teksa Meksika dhe Luksemburgu janë afër për t’u bërë shteti i tretë dhe i katërt që do ta bëjnë një gjë të tillë në shkallë kombëtare.